Shqipëria

Nurellari: Kurti hipokrit i poshtëroi shqiptarët


Adri Nurellari

Vendimi i Qeverisë së Kosovës që shtetasit e huaj mund të futën tani në Kosovë vetëm nëse kanë edhe dozën e tretë të vaksinës, ose dy doza dhe një test negativ për COVID-19 jo më të vjetër se 48 orë, ka krijuar “skena të dhimbshme dhe poshtëruese të kthimit në kufi të qytetarëve Republikës së Shqipërisë prej autoriteteve të Kosovës”, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook, anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Adri Nurellari.

Ai, për këtë situatë ka kritikuar “partinë populiste Vetëvendosja” dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Nurellari është shprehur i habitur se si qeveria fillon aplikimin e masave të reja anti-COVID’19 menjëherë pasi i njofton ato, duke mos lënë kurrfarë hapësirë që udhëtarët të informohen, “të përshtateshin apo të merrnin masa që do shmangnin këtë situatë fyese të bllokimit në kufi”.

“Partia populiste Vetëvendosja dhe lideri i saj karizmatik Kurti e ka ndërtuar karrierën opozitare duke u thirrur në bashkim kombëtar, mirëpo kur është në pushtet bën krejt të kundërtën përkundrejt bashkëkombësve”, shkruan Nurallari në llogarinë e tij në Facebook.

“Me këtë sjellje ndaj shtetasve të Republikës së Shqipërisë dhe pjesës tjetër të kombit, Kurti nxjerr në pah hipokrizinë e tij të thellë e dëshmon se ai patriotizmin e ka përdorur vetëm si instrument elektoral”.

Albin Kurti

Ish-këshilltari politik i kryeparlamentarit Kadri Veseli, më pas është lëshuar edhe në një kritikë të përgjithshme për vetë rreptësimin e masave nga Qeveria e Kosovës.

“Kjo është një kërkesë e tepërt dhe e paarsyeshme pasi si Kosova ashtu edhe Shqipëria, vaksinën e tretë kanë nisur ta administrojnë në fillim të dhjetorit, pra vetëm para pak javësh. Pra edhe po të donin qytetarët që ta merrnin dozën e tretë, do e kishin të pamundur sepse nuk kanë kaluar mjaftueshëm muaj nga doza e dytë”.

“Ky vendim është përsëritje e sjelljes së njëjtë shpërfillëse ndaj Republikës së Shqipërisë gjatë mandatit të parë qeverisës të Kurtit dy vjet më parë. Gjatë muajve të parë të pandemisë ai e mbylli plotësisht kufirin me Shqipërinë ndërkohë që e la plotësisht të hapur me Serbinë”.

Sipas Nurellarit, Kurti derisa tregohet i shtrënguar me Shqipërinë, krejt ndryshe vepron në raport me Serbinë.

“Të gjithë e mbajnë mend se si ai e dorëzoi sovranitetin mbi një pjesë të territorit e popullsisë në dorën e Beogradit duke lejuar qindra zyrtarë serbë që të hynin në Kosovë dhe të kujdeseshin për shtetasit kosovarë me kombësi serbe”.

“Ndërsa serbët e Kosovës trajtoheshin në spitalet e Vranjës, Nishit e Beogradit dhe lejoheshin të hynin e dilnin lirshëm nga kufiri i Kosovës, kufiri me Shqipërinë mbetej i bllokuar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore