Lajme

Numri i të vdekurve nga shpërthimi i minierës në Kolumbi është rritur në 21, tha presidenti


Numri i të vdekurve nga një shpërthim në një seri minierash qymyri të lidhura në Kolumbinë qendrore është rritur në 21, thotë Presidenti Gustavo Petro, pasi përpjekjet e shpëtimit në shkallë të gjerë për të çliruar 10 minatorë të bllokuar nën tokë kishin dështuar.

“Me gjithë përpjekjet e ekipeve të shpëtimit, fatkeqësisht 21 persona humbën jetën në këtë aksident tragjik në Sutatausa”, tha Petro në një postim në Twitter të enjten në mëngjes.

Një ditë më parë, guvernatori i Cundinamarca-s, Nicolas Garcia tha për “Blu Radio” se të paktën 11 minatorë kishin vdekur në shpërthimin, i cili ndodhi vonë të martën për shkak të një akumulimi të gazrave që shpërtheu pasi mjeti i një punëtori shkaktoi një shkëndijë. Ai u përhap përmes minierave të lidhura, legale.

Nëntë minatorë mundën të shpëtonin, por 10 u bllokuan 700 deri në 900 metra nën tokë, u tha Garcia gazetarëve të mërkurën.

Më shumë se 100 punëtorë shpëtimi u vendosën për t’i çliruar ata.

“Falënderimet e mia dhkojnë për secilin prej shpëtimtarëve që gjatë këtyre dy ditëve i dhanë vetes trup dhe shpirt punës së shpëtimit në Sutatausa”, shkroi Garcia në Twitter të enjten në mëngjes.

Kolumbia është shtëpia e shumë minierave të hapura dhe nëntokësore të arit dhe qymyrit. Shpërthimet dhe incidentet e tjera ndodhin shpesh, kryesisht në operacione që janë të paligjshme ose që nuk miratojnë masa të mjaftueshme sigurie.

Kombi i Amerikës së Jugut ka raportuar 1 mijë e 260 incidente minerare nga viti 2011 deri në maj 2022 dhe një mesatare vjetore prej 103 vdekjesh, sipas shifrave zyrtare. Në vitin 2021 janë regjistruar 148 vdekje.

Incidenti më i rëndë i fundit ndodhi në qershor 2010 kur 73 persona u vranë në një shpërthim mine në veriperëndim.

Në gusht, nëntë minatorë u shpëtuan nga një minierë e paligjshme e shembur e qymyrit në Cundinamarca.

Të enjten, presidenti i Kolumbisë tha: “Çdo fatalitet në punë nuk është vetëm një dështim biznesi, por edhe një dështim social dhe qeveritar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore