Lajme

Numri i migrantëve të Kanalit Anglez arrin në 15 mijë, qeveria merr “masa teknologjike”


Numri i njerëzve që kalojnë Kanalin Anglez me varka të vogla ka kaluar 15 mijë deri në gusht të vitit 2023, bën të ditur multimediali britanik “BBC”.

Shifra u arrit pasi qeveria njoftoi një partneritet me kompanitë e mediave sociale që synojnë të ndalojnë reklamat e bandave të kontrabandës.

Partneriteti vullnetar do të bëjë që firmat të punojnë me Agjencinë Kombëtare të Krimit (NCA), sqaron “BBC”.

Një Qendër e aftësive në internet prej 11 milionë paundësh do të krijohet nga NCA-ja dhe Ministria e Brendshme (Home Office) për të identifikuar përmbajtjen.

Sipas shifrave të Home Office, pas zero kalimeve që nga 26 korriku, 262 persona kaluan të premten dhe 77 të shtunën, duke e çuar totalin e këtij viti në 15 mijë e 72.

Shifra për të njëjtën kohë në vitin 2022 ishte 17 mijë e 785, që do të thotë se ka pasur një rënie deri më tani këtë vit prej 15 për qind.

Meta, e cila zotëron Facebook dhe Instagram, si dhe TikTok dhe X, të njohur zyrtarisht si Twitter, janë regjistruar të gjithë në planet e mediave sociale, tha Downing Street.

Kryeministri britanik Rishi Sunak deklaroi se për të ndaluar varkat, “ne duhet të trajtojmë modelin e biznesit të kontrabandistëve të poshtër të njerëzve në burim”.

Sekretarja e Brendshme Suella Braverman shtoi se “ky bashkëpunim i forcuar midis Agjencisë Kombëtare të Krimit, qeverisë dhe kompanive të mediave sociale do të sigurojë që përmbajtjet që promovojnë kalimet e rrezikshme dhe të paligjshme të Kanalit të mos shohin dritën e diellit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore