Kosova

Numërohen afër 95% e votave: “Fronti Evropian” ka 18 deputetë, “VLEN” 13


Ilustrim

Me afro 95 për qind e votave të numëruara, fitues i qartë në kampin shqiptar i zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni të Veriut, është “Fronti Evropian”, që drejtohet nga Ali Ahmeti, ndërsa te maqedonasit është partia nacionaliste VMRO-DPMNE.

Deri më tani janë numëruar 94,62 për qind e votës totale, apo 3 mijë e 290 vendvotime nga 3 mijë e 477 gjithsejtë.

Sipas të dhënave që ka publikuar Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), “Fronti Evropian” ka grumbulluar 131 mijë e 150 vota, apo 14,01 për qind e votës totale.

Përkthyer në mandate, në parlamentin e Maqedonisë së Veriut, koalicioni që drejtohet nga Ahmeti do të ketë 18 deputetë nga 120 sa i ka gjithsejtë.

Ndërsa, koalicioni i partive opozitare shqiptare “VLEN”, ka pak më shumë se 30 mijë vota më pak se Fronti. Ky koalicion ka marrë 102 mijë e 290 vota, apo vetëm 10,94 për qind. 13 është numri i mandateve që i takojnë “VLEN”-it.

Sa i përket kampit maqedonas, diferenca në rezultat është tejet e madhe në mes të partisë së parë dhe të dytës.

Partia nacionaliste maqedonase ka fituar plotë 403 mijë e 471 vota, apo 43,11 për qind e votës totale, për dallim nga partia që deri tash kishte pushtetin, pra LSDM-ja, që ka marrë vetëm 141 mijë e 920 vota, apo 15,17 për qind e votës totale.

Sipas këtyre rezultateve, VMRO do të ketë 59 mandate, derisa LSDM-ja 19 sosh.

Edhe dy parti të tjera kanë fituar ulëse të deputetëve.

6 deputetë do t’i ketë e majta ekstreme “Levica”, pasi që ka marrë 63 mijë e 557 vota, apo 6,79 për qind e votës totale.

Me 5 sosh në parlamentin e Maqedonisë së Veriut do të përfaqësohet Lëvizja “ZNAM”, e cila ka fituar 49 mijë e 481 vota, apo 5,29 për qind e votës totale.

Përveç atyre parlamentare, në Maqedoni të Veriut të mërkurën është mbajtur edhe raundi i dytë i atyre presidenciale.

Me 94,87 për qind e votave të numëruara, fituese e qartë është kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova, kundrejt presidentit aktual Stevo Pendraovski, i cili ka pasur mbështetjen e LSDM-së.

Siljanovska Davkova ka marrë plotë 528 mijë e 778 vota, apo 65,02 për qind, ndërsa Pendarovski 238 mijë e 268 vota, apo 29,30 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore