Shqipëria

Nuk ka të dhëna për variantin Delta në Shqipëri


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka njoftuar të mërkuren e 7 korrikut, se nuk është identifikuar asnjë rast me variantin Delta në vendin tonë.

“Aktualisht nuk kemi një prezencë të këtij varianti në Shqipëri, pra nuk kemi sinjale laboratorike që tregojnë që ky variant po qarkullon në vendin tonë, por ne jemi duke monitoruar çdo rast, me shumë kujdes”, tha ministrja në seancën plenare të fundit.

Dhe drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, për Albanian Post (AP) ka mohuar ardhjen e variantit Delta në vendin tonë.

Gjithashtu dhe shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino, ka përjashtuar rastet e infektimit me këtë variant, në Shqipëri.

Masat e reja lehtësuese

Nga 1 korriku kanë hyrë në fuqi masat e reja kundër COVID-19, me një lehtësim të dukshëm pas rasteve të vazhdueshme në ulje dhe një fushatë vaksinimi ndër më të suksesshmet në Evropë.

Aspekti më kryesor është ai i heqjes së mbajtjes së detyrueshme të maskave në ambientet e hapura publike. Pavarësisht kësaj, barriera mbrojtëse do të jetë e detyruar të mbahet në ambientet e mbyllura. Po ashtu, edhe në ambiente të jashtme, ku është e pamundur të ruhet distancimi social.

Ora policore do të pësojë gjithashtu ndryshim, duke lejuar lëvizjen për një orë më shumë. Nga një orë policore prej 23:00-06:00, ajo do të shtyhet në 24:00 dhe do të përfundojë në 06:00.

Nga këto lehtësime, nuk përftojnë klubet e natës dhe diskot. Ato do të vijojnë të jenë të mbyllura, ndërsa muzika do të lejohet deri në orën 22:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore