Shqipëria

Nuk janë më kinezët, jemi ne që duam Shqipërinë – Shefqet Kastrati rrëfen zgjerimin e Rinasit për Albanian Post


Mjafton që sytë t’i hedhë shumëkush jo më larg se në fund të dekadës së shkuar.

Çmime të larta të biletave në udhëtimin ajror, fluturime të pakta, radhë të gjata, mbingarkesa të panevojshme, ore pritjeje shpesh më këmbë, në pamundësi për zona komforti.

Kjo ka qenë pamja e aeroportit kryesor shqiptar, atij ndërkombëtar të Rinasit, i cili në pak vite ka pasur zhvillime marramendëse sa i takon trafikut ajror të trajtuar dhe paradoksalisht, kur më parë shihej si një institucion edhe i denigruar ndonjëherë krahasuar me të tjerët në rajon, sot shihet si marrës i fronit më të lartë, atij të aeroportit më të frekuentuar nga udhëtarët.

Shifrat flasin vetë për vitin 2022 dhe pasqyrohen me ngazëllim edhe në sytë e Shefqet Kastratit – njeriut që vendime të vështira, por të domosdoshme, mori për zhvillimin e këtij plani në një periudhë të pazakontë pandemie – të cilin e takojmë dhe na flet për “fluturimin aeroportual”.

Nga pas kemi një pamje me 15 avionë të parkuar në aerodrom, diçka e pamendueshme më parë, teksa jo pak njerëz bluanin në mendje skenarë se si ky investim do të merrte fund pa nisur ende të ecë, me COVID-19 që trokiti në derë.

Akoma më të paktë, ishin ata, të cilët perceptimin se ai mundej madje të zgjerohej edhe më tej, me një koncept komercial të ri.

Viti 2020 i kufizoi (në mos i mbylli) portat ajrore dhe me një liri të brendshme në lëvizje, shqiptarët filluan të zbulojnë sa vendit e tyre, aq edhe veten, duke kuptuar pse jo edhe nevojën për të thyer sërish barrierat.

Barriera, të cilat mund të jenë edhe thjesht imagjinare dhe të thyeshme me vizion.

Aeroporti ndërkombëtar i Beogradit, Nikola Tesla, numëroi 5.6 milionë udhëtarë dhe kjo përkon me një rënie prej 8.9% krahasimisht me periudhën pre-pandemike, vitin 2019.

Rinasi? Thuajse 5.2 milionë udhëtarë dhe rritja e shënuar në krahasim me vitin 2019, është jo pak, por 55.7%, duke bërë kështu që të ketë afërsi të konsiderueshme dhe shpresë për një tejkalim të Beogradit në vitin 2023, duke marrë vendin e parë në rajon.

Për këtë, merita është sigurisht e kompanive “low cost”, të cilat kanë hyrë në treg, por mbi të gjitha, e investimeve të zhvilluara nga Kastrati Group, që prej marrjes nën kontroll të gjërave në dhjetor 2020, kur edhe përfundoi blerjen e aseteve të aeroportit.

Blerje kjo, e cila u bë nga kompania kineze që e kishte menaxhuar prej vitesh Rinasin dhe përtej biletave shumë të shtrenjta, ide për zgjerim nuk kishte.

E në fakt, një shkëputje e tillë prej “atraksionit” lindor për një masterplan perëndimor, mund të shfaqet fare mirë në vegime nga një tjetër zhvillim me rëndësi në Shqipëri, ai i një baze ajrore të NATO-s në Kuçovë, ku Kina dhe SHBA-të, janë larg vite dritë në koncepte.

Zgjedhja, e pamendueshme ndryshe, është me sytë nga perëndimi.

Lidhur me një vizion të tillë, Albanian Post e ka pyetur me detaje zotëruesin kryesor të Kastrati Group, Shefqet Kastrati, në sytë e të cilit optimizmi nuk mungon, për të shkuar edhe më lart se sa thjesht një Rinas, lider në Ballkan për trafikun ajror.

Rritja e fluksit

Shtimi i pasagjerëve është një ndër sfidat kryesore për një aeroport në rritje, mbi të gjitha kur fluturimet ditore pritet të shkojnë nga 100 në 150 gjatë këtij viti.

Mbi këtë, Kastrati jo vetëm mendon se Rinasi i ka kapacitetet për t’i përballuar, por edhe për të shkuar deri në 200 fluturime ditore.

Megjithatë, eksperienca e udhëtarëve nuk do preket apo cenohet në asnjë çast, theksoi ai për Albanian Post, pasi është prioritet absolut i menaxhimit, duke e ndërthurur me efikasitetin operacional.

Investime me rëndësi janë ato të lidhura me skanimin e bagazheve të dorës apo bagazheve të mëdha, të cilat realisht kanë kosto të lartë investimi (rreth 3.5 milionë euro), por janë shënjues sa i takon punës dhe lehtësimit të kalimit të udhëtarëve.

Investimet në infrastrukturë, janë atashuar edhe me zhvillime në strategjitë e marketingut, për të reklamuar punën e Rinasit.

Në katër muajt e parë të vitit 2023 ndërkohë, është pritur pasagjeri i 1.5 miliontë, duke pasur një rritje eksponenciale në krahasim me të njëjtën periudhë vitin e shkuar, e cila shkon në 50% më shumë.

“Ndaj dhe ne kemi vendosur që përmes investimeve të rrisim cilësinë e shërbimit për pasagjeret tanë. Ne kemi parashikuar që investimi i ri të shkojë në mbi 100 milionë euro. Ndërsa shtimi me katër vendqëndrimeve të reja e bën aeroportin e Tiranës me 21 vendqëndrime”, shton këtu Kastrati, për të vijuar më pas me menaxhimin shërbimit ndaj klientëve.

Ky i fundit ka rëndësi të lartë dhe do të garantohet sipas tij me shtesën e një terminali të ri dhe ofrimit të një game të gjerë shërbimesh, përfshi edhe sektorët e duty free me nivele evropiane, kënde lojërash, vende të posaçme për lutjet e personave që besojnë, zona të dedikuara për duhanpirësit gjatë tranzitit, deri në ofrimin e kushteve të përshtatshme për qëndrimin në aeroport.

Është kjo, ajo e cila do të sigurojë përvojën pozitive për pasagjerët, së bashku me bashkëpunimin me linjat ajrore dhe agjencitë e udhëtimit, për koordinim me pasagjerët.

Kalimi i stafetës

Beogradi është njohur si aeroporti me fluksin më të lartë në rajon në vitet e fundit dhe investime me rëndësi po kryhen edhe aty, për ndërtimin e një terminali të ri.

Pavarësisht kësaj, marrja e fronit nga Tirana është më se e mundur, sipas Kastratit.

“Besoj se me shumë mundim dhe me fat mund t’ja arrijmë të tejkalojmë Aeroportin e Beogradit, të njohur për shumë vite si hub rajonal”, specifikon ai për Albanian Post.

Këtë sukses megjithatë, ia atribuon edhe rritjes së madhe të turizmit të huaj në vend në nivel kombëtar dhe futjes së linjave “low cost” në ekuacion.

Vetë Tirana madje, po kthehet në një hub për tranzit, i përdorur nga udhëtarët, me shifra të ulëta aktualisht, por të cilat janë shumë premtuese për të ardhmen.

Me shtimin e shifrave, qëllime dhe synime nga kompania, ka edhe për të aplikuar në tenderë evropianë, të cilët përqendrohen në qëndrueshmëri, efikasitet dhe digjitalizim, të cilat janë kryefjalë e zhvillimit të çdo biznesi në Evropë sot.

Plani afatgjatë, është edhe ai i shërbimeve Cargo, apo i taksive ajrore, të cilat sjellin zhvillime shumë të mëdha, duke pasur në mend edhe vepra të tjera që mund të sjellin fluks të shtuar të udhëtarëve në të ardhmen, siç është ai i Marinës së re në Durrës.

Madje, duke lënë mundësi të hapura edhe për aviacionin privat, në rast se shërbime të tilla do të gjejnë vend me kalimin e kohës.

High-tech

Zhvillimi nuk mundet të konceptohet sot pa teknologji dhe pikërisht këtë fjalë, Kastrati Group e ka si kolonë kryesore të politikave të korporatës, shpjegon Shefqet Kastrati për Albanian Post.

“Aeroporti ka një lidhje te pandashme me teknologjinë”, nënvizon ai. “Nuk kishte si te ndodhte ndryshe dhe në Rinas. E-gates, skanerët e teknologjisë së fundit, sistemi inteligjent i kamerave te reja, sistemi inteligjent i njoftimeve zanore dhe led wall-i interaktiv, janë vetëm disa nga inovacionet që ne po sjellim në aeroport”.

Pa një ekip të mirë gjithsesi, asgjë nuk do të ishte e mundur, siç e thekson disa herë sipërmarrësi.

Puna e palodhur, qëndrueshmëria, përshtatshmëria gjatë pandemisë, kanë qenë tregues i gjithë arritjeve, ku nuk mund të mungojnë as bashkëpunimet me partnerë, të cilët kanë të njëjtin synim me grupin Kastrati: Arritjen e qëllimeve.

Zgjerim – Investim – Ekologji

Investimi është pavarësisht gjithçkaje fjalë kyçe për çdo arritje, mbi të gjitha kur synimi kryesor është ai i ndërtimit të një hub-i jo më thjesht evropian, por ndërkontinental.

Në vizionin e Kastratit, kjo gjë do të arrihet brenda pesë viteve të ardhshme dhe për synim ka nisjen e fluturimeve të shumta nga Tirana drejt kontinenteve të tjera, jo thjesht si një shërbim për qytetarët shqiptarë, por për të gjithë rajonit.

“Për të realizuar këtë objektiv ne po punojmë shumë me investimet në infrastrukturë, të cilat duhet t’i kryejmë dhe në tetor, fillon po ashtu projekti i madh i zgjerimit të pistës”, bën me dije ai.

Paraprakisht, është menduar se Amerika e Veriut do të jetë tregu kryesor i fluturimeve ndërkontinentale, por një opsion i hapur mbetet edhe për Azinë apo Australinë, si objektiva të ardhshëm.

Këto, duhen arritur gjithsesi me një sy për nga mjedisi, parë edhe direktivat kryesore evropiane sa i takon çështjes.

Në këtë sferë, Kastrati tregon për Albanian Post se përgjegjësia sociale, ashtu si ajo mjedisore, janë shumë të rëndësishme për grupin.

Të gjitha pajisjet e instaluara në investimet që grupi ka bërë në këto tre vite, e kanë klasifikimin AAA, për konsumin më të ulët të energjisë. Nivelet e lëshuara të karbonit, janë po ashtu të monitoruar në mënyrë të rregullt.

Ndërsa, një projekt me rëndësi, i takon edhe instalimit të paneleve diellore, gjë e cila do të bëjë që brenda tetë muajve, Aeroporti i Tiranës të jetë i vetëmjaftueshëm sa i takon energjisë elektrike që konsumon, duke harxhuar vetëm aq sa prodhon.

Kjo gjë do të bëjë që targeti neto 0, i vendosur nga Bashkimi Evropian, të respektohet plot 6 vjet përpara përmbylljes së afatit, në vitin 2030.

Me rëndësi të lartë është edhe investimi i realizuar në zgjerimin e vendeve të parkimit, duke garantuar se brenda sezonit të verës, do të jetë gati një sistem shumëkatësh i parkimit me orë dhe ditor, i niveleve të larta, si në çdo aeroport me rëndësi në kontinent.

Ëndrra e aeroportit – ëndrra e Shqipërisë

Arritje të mëdha dhe suksese të njëpasnjëshme e kanë karakterizuar Rinasin në vitet e fundit, por ëndrra e Kastratit, nuk është thjesht ajo e kthimit të një aeroporti lider në Ballkan.

Kështu, e ka përshkruar ai për Albanian Post, dëshirën që fshihet, pas një vizioni të guximshëm:

“Ëndrra ime për aeroportin e Tiranës, është që ai të kthehet në katalizatorin e turizmit dhe zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Të gjithë investimet që ne kryejmë, kompanitë e aviacionit që sjellim dhe destinacionet që hapim, janë në shërbim të shqiptarëve, për t’i mundësuar të udhëtojnë sa më shpesh dhe sa më lirë. Janë në shërbim të turistëve që duan të vizitojnë vendin tonë të bukur dhe janë në shërbim të investitorëve të huaj, që duan të investojnë në vendin tonë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore