Norvegjia vazhdon kërkimet e dy vëllezërve kosovarë që dyshohen për vrasje

SHFLETO

Vëllezërit Valon dhe Visar Avdyli.

 

Altina Marmullaku
13.11.2021 10:50
Loading Icons...

Vëllezërit Valon dhe Visa Avdyli nga Norvegjia të cilët dyshohen për një vrasje që e kanë kryer në Mortensrud në Oslo më 7 tetor, vazhdojnë të jenë në kërkim nga autoritetet norvegjeze.

Sipas raportimeve të mediave në Norvegji, pas kryerjes së krimit ata dyshohet se kanë ardhur në Kosovë.

Bëhet e ditur se të dy kanë udhëtuar nga Gardermoen për në Prishtinë në Kosovë dy ditë pas vrasjes.

“Ka ende shumë aktivitet në punë, por ende nuk kemi arrestuar askënd”, thotë avokati i policisë, Børge Enoksen në qarkun e policisë së Oslos.

Këtë javë, Gjykata e Qarkut në Oslo vendosi të zgjasë paraburgimin për të akuzuarin e tretë në këtë çështje, një 40-vjeçar.

“Kjo është pjesërisht për shkak të rrezikut të humbjes së provave”,  thotë Enoksen.

Hamse Hashi Adan, viktima

Avokati i vëllezërve Avdyli, Svein Holden, deklaroi më parë për mediat në Norvegji se të dy mohojnë të kenë lidhje me vrasjen.

Holden shprehet se nuk do të komentojë rastin derisa vëllezërit të arrestohen.

Më 1 nëntor, Policia e Kosovës është vënë në kërkim të vëllezërve Valon dhe Visar Avdyli nga Norvegjia të dyshuar për vrasje, pasi ata sipas mediave norvegjeze thuhet se janë strehuar në Kosovë.

“Policia e Kosovës lidhur me çështjen në fjale ka pranuar informacionin nga autoritetet norvegjeze dhe nga ajo kohë është në komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me policinë norvegjeze”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun të Policisë për Albanian Post.

Vëllezërit Avdyli nga Baerumi në Norvegji më herët ishin burgosur për terrorizëm.

Vëllezërit Valon dhe Visar Avdyli dhe Xhibril Bashir

Ndërkaq në vitin 2016, Valon Avdyli, 35-vjeç, ishte dënuar për pjesëmarrje në organizatën terroriste ISIS.

Ai ishte dënuar me katër vite e gjashtë muaj burgim.

Vëllai i tij i vogël Visar Avdyli, 31-vjeç, ishte dënuar me tetë muaj burgim për të njëjtin rast.

Gjykata besonte se ai ishte munduar t’i dërgojë materiale organizatës terroriste.

Në vitin 2017, u dënua për një rast tjetër të dhunës në Trondelarg.

Ata janë vëllezërit e Egzon Avdylit, i cili u vra në Siri gjatë vitit 2014 si pjesë e ISIS-it.