Shqipëria

‘Non grata’ nga SHBA, Berisha shpall primare si në SHBA


Sali Berisha është përcaktuar që prej majit 2021 si non grata nga SHBA-të, por shembullin mbi përzgjedhjen e kandidatëve që do të garojnë në lokalet e 6 marsit në gjashtë bashki të vendit, do t’i zhvillojë ashtu si zhvillohen primaret në SHBA.

As Berisha, as Kryesia, por qytetarët dhe anëtarësia. Kjo është formula e Berishës.

Nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook, ish kreu i Partisë Demokratike, ka zbuluar edhe formulën që do të përdorë.

Ai ka bërë me dije fillimisht, se Komisioni i Rithemelimit, do të marrë pjesë në garë në të gjashta bashkitë.

Kandidatët, do t’i përcaktojë anëtarësia. Pra, do të ketë zgjedhje në struktura dhe më të votuarit do të jenë kandidatë.

“Ky proces është i ngjashëm me primaret në SHBA dhe është i dëshmuar si më i suksesshmi, transparenti dhe besojmë se do të sjell rezultatet më të mira për ne”, vijon më tej Berisha.

Ai po ashtu, ka ftuar të gjithë anëtarët, që të bëhen pjesë e procesit. Kjo, për t’i dhënë legjitimitet kandidatëve sipas tij.

Në përmbyllje, ai ka përkufizuar se fitorja e listës së tij, do të jetë e padiskutueshme.

Kjo formulë gjithsesi, nuk kuptohet qartësisht se kur do të zhvillohet. Afatet për këto zgjedhje të pjesshme lokale, janë shumë të ngushta.

Nëse Berisha do të marrë pjesë me lëvizjen e tij, atëherë ai duhet të veprojë shpejt me përzgjedhjen e kandidatëve fillimisht. Ndaj, lindin dyshime mbi procesin, se si mund të kryhen primare – të cilat në SHBA zakonisht marrin kohë një vit – në më pak se dy javë.

Megjithatë, vullneti politik i Berishës është krejtësisht i qartë. Ai do të jetë prezent aktivisht në zgjedhje, edhe pse këto të fundit, janë pa peshë të madhe elektorale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore