Kosova

NJSI-ja dhe shumë njësi të tjera prapë në protestë, kryeministri ua refuzoi kërkesat


Ilustrim

Njësia Speciale Intervenuese (NJSI/FIT) në kuadër të Policisë së Kosovës do të protestojë sërish në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për shkak të mospërmbushjes së kërkesave rreth përmirësimit të kushteve të punës nga Qeveria e Kosovës. Protesta e pjesëtarëve të NJSI/FIT është planifikuar të mbahet më 9 dhjetor të këtij viti në qendër të kryeqytetit.

Megjithatë, në këtë protestë, përveç njësiteve speciale, pritet të marrin pjesë edhe pjesëtarët e departamenteve tjera të Policisë së Kosovës, përfshirë pjesëtarët e Departamentit të Hetimeve dhe rendit publik. Protesta pritet të mbahet javën e dytë të dhjetorit duke filluar nga ora 12:00 në mesditë.

Kjo është hera e dytë që njësitet e specializuara në Policinë e Kosovës detyrohen të shprehin paknaqësitë e tyre në rrugë. Krejt kjo situatë për shkak se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dështuar t’u ofrojë një rrugëdalje njësiteve elitare të Policisë së Kosovës, duke treguar moskokëçarje për kërkesat konkrete të kësaj kategorie shoqërore.

E për herë të parë prej themelimit të Policisë së Kosovës, pjesëtarët e njësiteve elitare policore detyrohen të dalin në protestë. Ata kanë kërkuar të kategorizohen si njësi të veçanta dhe të përfshihen në listën e ekspertëve, ndërsa rrezikshmëria të përcaktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe të ketë shtesa për kushte specifike të punës.

Përfaqësuesit e NJSI/FIT ishin takuar me kryeministrin Kurti në mes të nëntorit, rreth dy javë pas protestës së parë, por ndonëse takimi kishte zgjatur më shumë se dy orë, nuk është arritur ndonjë marrëveshje për shkak se kreu i ekzekutivit nuk ka pranuar të tërhiqet nga pozicioni i tij në raport me kërkesat e Specialëve të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore