Njohja e patentë shoferëve, Osmani: Konfirmon besueshmërinë e institucioneve gjermane

SHFLETO

Vjosa Osmani

 

Dreni Himbeqa
11.02.2022 14:01
Loading Icons...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, lajmin për njohjen e patentë shoferëve të Kosovës nga Gjermania e ka konsideruar si shumë të mirë.

Ajo madje ka potencuar se tema në fjalë ka qenë pjesë e diskutimeve kryesore, gjatë vizitës së saj në Gjermani me 22 prill të vitit të kaluar.

“Gjatë vizitës zyrtare në Gjermani, në takimet me Presidentin Steinmeier, si dhe në takimet me ish- ministrin e punëve të jashtme, Maas fillimisht në Prishtinë me 22 prill të vitit të kaluar, e pastaj dhe gjatë qëndrimit tim në Berlin, kjo ishte një prej diskutimeve kryesore, e cila reflektonte edhe një prej brengave kryesore të mërgatës sonë atje”, ka shkruar Osmani në rrjetin e saj social në Facebook.

“Jashtëzakonisht mirënjohëse për bashkëpunimin e institucioneve gjermane në trajtimin e kësaj kërkese të kahmotshme. Ky hap konfirmon besueshmërinë e institucioneve gjermane në procedurat dhe punën e institucioneve tona, e rrjedhimisht kontribuon në avancimin tutje të raporteve tona tashmë të shkëlqyeshme bilaterale”.

Presidentja gjithashtu ka premtuar se do të vazhdojnë punën në bashkëpunim me institucionet tjera në vend për tu siguruar që ky shembull të ndiqet edhe nga shtetet e tjera të BE-së.

Xhelal Sveçla

E në anën tjetër Ministri i Punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla ka thënë se ky sukses është rezultat i një angazhimi të madh të ekipeve nga Kosova.

“Që nga marrja e detyrës kemi punuar intensivisht që ky proces të përfundojë suksesshëm dhe sa më parë. Marrëveshja sipas legjislacionit në Republikën Federale të Gjermanisë ka marrë aprovimin e të gjitha lëndëve dhe patentë shoferët do të njihen në tërë Gjermaninë”.