Kosova

Njohja e Kosovës nga Kenia, Vuçiç: S’besoj se do të ndodhë  


Aleksandër Vuçiç

Kenia, shtet në Afrikën lindore, kishte shprehur gatishmërinë e saj për të njohur pavarësinë e Kosovës. Kështu të paktën kishte bërë të ditur, ministri i Jashtëm i Kenias, Alfred Mutuar, gjatë një konference për media në Nairobi duke konfirmuar se po zhvillohen diskutime që Kenia ta njohë plotësisht pavarësinë e Kosovës.

Megjithatë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas një takimi me presidentin e Kenias, William Ruto, në Kinë në kuadër të forumit të tretë “Belt and Road”, ka deklaruar se beson se vendi nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Siç tha Vuçiç, ai ka diskutuar për Kosovën me Ruto-n, meqë nga Kosova po vijnë njoftime se Kenia do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Asnjëherë nuk mund të garantosh për një shtet tjetër, por besoj se Kenia do të respektojë integritetin territorial të Serbisë dhe kartën e OKB-së”, tha Vuçiç.

Ndryshe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte zhvilluar një takim me homologun e saj nga Kenia, William Ruto, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Osmani kishte bërë të ditur se në takim me presidentin Ruto kishte diskutuar për thellimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Kenias.

“Mezi presim ndërmarrjen e hapave të përbashkët që do t’i afrojnë tutje vendet dhe popujt tanë”, kishte shkruar Osmani shkurtimisht në platformën sociale Facebook

E kryediplomati Mutuar, gjatë konferencës, kishte konfirmuar edhe vizitën e ardhshme të Osmanit në Kenia për të diskutuar për njohjen.

Kenia po lëvizë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore