Sport

Njihuni me kundërshtarin e Ballkanit në Ligën e Kampionëve


Këtë të marte në Nyon të Zvicrës është bërë tërheqja e shortit për rrethin e parë kualifikues të edicionit të ri në Ligën e Kampionëve.

Nga ky short, kundërshtarin e ka mësuar edhe kampioni i Kosovës, Ballkani, që është ekipi i vetëm që merr pjesë në Champions.

Ekipi nga Theranda do të ballafaqohet me kampionin e Lituanisë, Zalgiris.

Ndoshta ky mund të konsiderohet një short pak sa me fat, duke pasur parasysh që Ballkani ka evituar kundërshtarët e mundshëm si Malmo e Suedisë, Bodo/Glimt e Norvegjisë, apo edhe HJK Helsinki e Finlandës.

Por kush është Zalgiris dhe sa vlen skuadra e klubit të njohur nga Lituania?

Sipas “Transfermarkt” vlera e ekipit të Zalgiris llogaritet të jetë 6.93 milionë euro, ku lojtarin më të shtrenjtë e kanë mesfushorin ganez, Francis Kyeremeh, i cili vlen 800 mijë euro.

Ndërsa vlera e ekipit të Ballkanit llogaritet 3.93 milionë euro, ku lojtari më i shtrenjtë është Ermal Krasniqi me vlerë prej 350 mijë euro.

Zalgiris është klubi që ka fituar më së shumti titullin kampion në Lituani, nëntë herë, derisa ata kanë fituar edhe 13 herë Kupën e Lituanisë dhe shtatë herë Superkupën.

Sa i përket suksesit në garat evropiane, Zalgiris më së largu ka shkuar deri raundin e katërt kualifikues në Ligën e Evropës në vitin 2013, kur u eliminuan më pas nga Salzburg-u.

Ndërsa në vitin e kaluar, Zalgiris eliminoi në raundin e parë të Ligës së Kampionëve skuadrën irlandeze, Linfield, por më pas u mposhtën nga kampionët e Hungarisë, Ferencvarosh me rezultat të përgjithshëm 5:1.

Përparësi e lituanëve është se ata marrin pjesë rregullisht në garat evropiane që nga viti 2012, derisa kampionët e Kosovës do të marrin pjesë për herë të parë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.

Kujtojmë që Ballkani do të jetë vendas në duelin e parë që do të zhvillohet më 5 ose 6 korrik, derisa ndeshja e kthimit do të luhet një javë më vonë në Lituani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore