Kosova

Njeriu i afërt i Vulinit i sanksionuar nga ShBA-ja arrestohet në Veri – dyshohet për vjedhje identiteti


Aleksandar Vulin

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka thënë se organet e rendit e kanë arrestuar të mërkurën në mbrëmje në Leposaviq, Marko Knezheviçin, njeriun e afërt të ish-shefit të Shërbimit Sekret të Serbisë, Aleksandër Vulin, meqë dyshohet për “vjedhje identiteti” dhe “pajisja e qasjes”.

“Ky person ka dy identitete – një për dokumente serbe dhe tjetri për dokumente të Kosovës”, tha Elshani për mediumin serb në Kosovë, “KoSSev”.

Ai po ashtu ka treguar se Knezheviç është ndaluar për 48 orë, derisa gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, Policia ka gjetur disa materiale që ndërlidhen me rastin.

“Dyshohet se i ka marrë të dhënat dikujt, por do të shohim nëse nuk është kështu do të ndryshojë kualifikimi i veprës penale”, potencoi Elshani.

Ndërkaq Knezheviç për disa vite punoi për rrjetin “Most” si gazetar, përkatësisht anëtari i bordit mbikëqyrës të këtij rrjeti.

Ai ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Vulinit kur ishte drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Seribisë si përgjegjës për marrëdhëniet me mediat.

Ndryshe, Vulin vitin e kaluar u fut në listën e zezë nga Thesari i SHBA-së, për përfshirje në afera korruptive për “të shtyrë përpara agjendat e tij politike dhe interesat e tij personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore