Lajme

“Njerëzit me ngjyrë, më të rrezikuarit nga pesticidet”


Ilustrim

“Njerëzit me ngjyrë dhe komunitetet me të ardhura të ulëta janë në rrezik disproporcional të ekspozimit ndaj pesticideve”.

Është ky përfundimi i pasqyruar në një raport nga Qendra Bullard për Drejtësinë Mjedisore dhe Klimatike në Universitetin Jugor të Teksasit.

Më tej, në raport, thuhet se afërsisht 90 për qind e përdorimit të pesticideve në Shtetet e Bashkuara është në sektorin e bujqësisë.

Kështu fermerët janë më të prekshëm ndaj kimikateve sintetike.

Më tej, drejtori dhe bashkautori i raportit, Robert Bullard, tha se “ky studim tregon neglizhencën sistematike, që çoi një fuqi punëtore të tërë të ishte një klasë e ulët dhe të mos i jepej e njëjta peshë kur bëhet fjalë për shëndetin dhe sigurinë”.

Studimi shqyrtoi të dhënat e CDC dhe EPA, së bashku me kërkimet për pesticidet, dhe zbuloi boshllëqet për mbrojtjen e punonjësve të fermave.

Gjithashtu, u vunë re mangësi në rregullore, që kanë çuar në ekspozim joproporcional ndaj pesticideve te njerëzit me ngjyrë.

Ky hulumtim u krye nga Qendra për Diversitet Biologjik; studiues nga Kolegjet dhe Universitetet Historikisht Zezake; dhe avokatë nga punëtorët e fermave, grupet e drejtësisë racore dhe të ruajtjes.

Prej gjithsej 14 shënuesve për pesticide të dëmshme, të gjurmuara gjatë 20 viteve të fundit, 12 prej tyre u gjetën në gjakun dhe urinën e amerikanëve me ngjyrë dhe meksikanë në nivele deri në pesë herë më të larta se ato të gjetura tek amerikanët e bardhë.

Ligjet e sigurisë nga pesticidet

Ligjet e sigurisë nga pesticidet, të vendosura nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, vendosin standarde për ekspozimin e pesticideve midis konsumatorëve përmes ushqimit, por ato në mënyrë specifike përjashtojnë mbrojtjen e punonjësve të fermës nga ekspozimi në punë.

“Ligjet dhe praktikat rregullatore që ne kemi në fuqi tani po e përjetësojnë vërtet këtë”, tha drejtori i shkencave të shëndetit mjedisor në Qendrën për Diversitetin Biologjik dhe bashkautor i raportit, Nathan Donley.

Nga ana tjetër, Jeannie Economos, koordinatore e projektit për sigurinë e pesticideve dhe shëndetin mjedisor në Shoqatën e Punëtorëve të Fermerëve të Floridës, tha se: “ne duhet t’i heqim qafe këto pesticide dhe të gjejmë alternativa. Ato jo vetëm që po helmojnë fermerët, por gjenden në ujërat nëntokësore, në ushqimin tonë dhe po varfërojnë tokën tonë”.

Komunitetet e prekura janë në një shkallë më të lartë ekspozimi si në vendin e punës, ashtu edhe në shtëpi, qoftë për shkak të afërsisë me një fabrikë të prodhimit të pesticideve, apo nga përdorimi brenda banesave.

Në Kaliforni, Luiziana, Xhorxhia, Karolina e Jugut, Tenesi, Arkansas dhe Misuri, njerëzit me ngjyrë përbëjnë rreth 38 për qind të popullsisë.

Por i njëjti grup përfshin 63 për qind të popullsisë që jeton brenda një miljeje nga një prej 31 objekteve të pesticideve, që nga nëntori, EPA i konsideroi si “shkelje të konsiderueshme” të ligjeve mjedisore, si Akti i Ajrit të Pastër dhe Aktit të Ujit të Pastër.

Studimi tregon gjithashtu se përdorimi i pesticideve kundër brejtësve dhe buburrecave është shpesh i lartë në banesat me të ardhura më të ulëta, për shkak të vjetërsisë së ndërtesave, mirëmbajtjes së dobët dhe kushteve të jetesës shpesh të mbushura me njerëz.

Në shtetin e New York-ut, sipas një studimi të vitit 2002, 80 për qind e objekteve të banimit publik me të ardhura të ulëta aplikonin rregullisht pesticide.

Bullard tha se problemi shtrihet jo vetëm te banesat e subvencionuara federale, por edhe te komplekset e mëdha të zëna nga “qiramarrësit që nuk kanë kontroll mbi sasinë e pesticideve që po përdoren dhe sigurinë e aplikuar”.

Është vërtetuar se ekspozimi ndaj pesticideve ndikon negativisht në zhvillimin e fëmijëve dhe mund të çojë në paaftësi në të mësuar dhe probleme të tjera të sjelljes.

Në nëntor, senatori Cory Booker prezantoi Aktin për Mbrojtjen e Fëmijëve të Amerikës nga Pesticidet Toksike, i cili do të ndalonte disa nga pesticidet më të dëmshme, duke përfshirë neonikotinoidet, të cilat janë të ndaluara në vendet e Bashkimit Evropian dhe të kufizuara ndjeshëm në Kanada.

Më shumë se 350 organizata, që përdorin pesticide, duke përfshirë grupet bujqësore dhe shoqatat e golfit, i dërguan një letër Kongresit në kundërshtim me projektligjin.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore