Kosova

Një vit nga Marrëveshja e Brukselit – Bislimi: Serbia e pengon fuqishëm njohjen reciproke


Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh shef i ekipit negociator të palës kosovare, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të martën, tha se Serbia është palë penguese në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, ndonëse të dy palët arritën një marrëveshje para një viti nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

Kështu u shpreh zëvendëskryeministri kosovar në një-vjetorin e “marrëveshjes historike” që u arrit më 27 shkurt 2023 në Bruksel të Belgjikës ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç pas një cikli të gjatë të negociatave. Megjithatë, marrëveshjes i mungon një aspekt i rëndësishëm: nënshkrimet e dy lojtarëve.

“Kur do të duhej të ishim në rrugën e drejtë të zbatimit të plotë dhe pa kushte të Marrëveshjes së Brukselit, shënojmë një vit nga dita kur u dakordua ajo, dhe Serbia ende refuzon ta nënshkruajë e rrjedhimisht dhe zbatojë marrëveshjen”, deklaroi Bislimi, duke shtuar se përgjatë kësaj periudhe pala kosovare u ballafaqua me shkeljet dhe destrkutivitetin e Serbisë në terren.

Bislimi përmendi refuzimin e serbëve për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit që u mbajtën në katër komunat veriore, sulmin e protestuesve serbë ndaj paqeruajtësve të Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), rrëmbimin e tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga strukturat serbe të sigurisë dhe sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit.

“Në vetëm një vit, të gjitha këto akte e sjellje, dëshmuan se Serbia po e pengon fuqishëm avancimin në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve e njohjes reciproke. Kosova nga ana e saj, qëndron konstruktive dhe e angazhuar në këtë rrugëtim, në zbatimin e plotë, të drejtë e pa kushte të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues”, shtoi ai.

Marrëveshja e Brukselit ofron njohje reciproke të dokumenteve dhe simboleve kombëtare. Dy fqinjë armiqësor që assesi të dalin nga konflikti, do të shkëmbejnë misione të përhershme dhe nuk do ta bllokojnë rrugën e njëra-tjetrës drejt BE-së. Serbia, po ashtu, u zotua se nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore