Lajme

Një tjetër sulm ndaj gazetarëve në Veri, AGK kërkon siguri


Gazetarët në Veri.

Një tjetër ekip i gazetarëve është sulmuar të hënën në Veri të Kosovës.

Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, ky është sulmi i tretë në drejtim të gazetarëve.

“Ekipi i Klan Kosovës, i përbërë nga gazetari Haris Ademi, kameramani Agon Bejtullahu dhe shoferi Elsad Sinani, është sulmuar sot, përderisa po raportonin afër barrikadave të vendosura në fshatin Çabër të Zubin Potokut. Sulmuesit në drejtim të ekipit kanë hedhur gurë, si dhe i kanë fyer e sharë”.

Lidhur me këtë Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar nga institucionet që të ndërmerren masa të sigurisë për gazetarët që raportojnë nga vendi i ngjarjes.

“AGK-ja, sërish bënë thirrje tek organet kompetente që të marrin masa për të siguruar gazetarët, njëherësh kërkojmë që të lejohen të bëjnë punën e tyre pa u penguar”.

Policia ne Veri.

Edhe më 9 dhjetor, gazetarët ishin sulmuar nga persona të maskuar në Veri, pas këtij rasti nga Policia ishte thënë se kanë nisur hetimet.

I kontaktuar nga Albanian Post, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së veriut, Besim Hoti, kishte deklaruar se aktualisht nuk ka shumë informacione lidhur me këtë rast.

“Rasti i gazetarëve është duke u regjistruar, momentalisht nuk dihen personat që kanë sulmuar gazetarët”, deklaroi Hoti për AP.

Të njëjtën kërkesë AGK-ja e kishte ndaj Policisë së Kosovës që të kujdeset për të ofruar kushtet e duhura të sigurisë.

Situata në Veri

Janë bërë dhjetë ditë që kur grupe serbësh në Veri të Kosovës kanë bllokuar rrugët, në shenjë kundërshtimi ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiç.

Në barrikada e kanë për obligim të qëndrojnë edhe punonjësit e institucioneve publike, që funksionojnë nën sistemin e Serbisë.

Pas ndërprerjes së mësimit prej një javë, nxënësit e shkollave fillore, nga e hëna janë në klasa, por me orë të shkurtuara.

Kurse, nxënësit e shkollave të mesme do t’i ndjekin mësimet online.

Ndërsa, në Veri është raportuar për situatë të qetë teksa vërehen patrullime të pjesëtarëve të misionit të NATO-s, KFOR, dhe të misionit evropian, EULEX.

Por, protesta e disa qindra serbëve në anën serbe të pikës kufitare në Jarinjë është elementi i fundit destruktiv i situatës në Veri të Kosovës.

Mesazhi i KFOR-it megjithatë ishte i qartë.

Përmes një njoftimi për media te dielën thanë se kanë kapacitet dhe nuk do të lejojnë që situata të përkeqësohet më tej.

Të dielën kanë qarkulluar informacione se serbët po planifikojnë djegien e kabinave të pikave të kontrollit, siç kishte ndodhur në vitin 2011, prandaj, KFOR-i amerikan është mobilizuar dhe ka vënë edhe tela me gjemba në një pjesë, tela që nuk ishin vënë tash e sa vjet.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati deklaruar se heqjen e barrikadave ia kanë lënë KFOR-it, por siç është kuptuar KFOR-i nuk do të ndërhyjë, sepse po pritet një  zgjidhje politike e situatës.

Nga Bashkimi Evropian është thënë se po përgatitet një takim i mundshëm mes Kurtit e Aleksandër Vuçiç-it në Bruksel.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore