Lajme

Një tjetër premtim i harruar i Albin Kurtit


Foto: Ilustrim nga Albanian Post.

“Mjekët duhet të zgjedhin a duan të punojnë në sektorin privat apo publik, sepse nuk është e drejtë që të përdorin spitalet publike për të rekrutuar pacientë për trajtime mbas orarit të punës në ambulanca private që këta doktorë kanë krijuar”, kishte deklaruar kryeministri Kurti kur ishte pyetur për planin e tij shëndetësor në Kosovë.

Këtë deklaratë ai e kishte bërë pasi vlerësonte se gjendja në sektorin e shëndetësisë nuk ishte aq e mirë, prandaj kishte kërkuar që mjekët të përcaktohen nëse duan të punojnë në institucionet publike shëndetësore apo private.

Megjithatë që nga deklarata e kryeministrit në vitin 2019 asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim, as shëndetësia nuk ka pasur ndonjë progres të ri.

Mjekët detyrohen t’i mbajnë dy puna

Gjinekologu dhe ish kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla për Albanian Post sqaron se ndryshimet për punësimet e mjekëve në dy vende të ndryshme mund të bëhen vetëm me anë të Gjykatës Kushtetutës.

“Për këtë çështje ekziston një vendim në Gjykatën Kushtetutës. Ligjërisht nuk mundet, pasi secili njeri pas orarit mund të bëjë atë që dëshiron”, thotë Syla për AP.

Sipas tij, ngritja e pagave do të krijonte ndryshime në sektorin e shëndetësisë.

“Unë mendoj sikur pagat të ishin në sektorin publik 2 mijë ose 2 mijë e 500 euro nuk do të kishte nevojë të merren vendime të tilla. Kjo për arsyeje se mjekët do të ishin të kënaqur dhe secili do ta lente punën private”.

Infermierët në QKUK.

Ndërkaq, pagën aktuale për mjekët e quan vetëm si lloj “mbijetese”.

“Kjo që ne bëjmë aktualisht është vetëm mbijetesë, pra stafi shëndetësor vetëm mbijeton me këtë pagë”.

Vendimet duhet të bazohen në Gjykatën Kushtetutese

Për nënkryetarin e Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Enlirat Duraku, të gjitha vendimet duhet të bazohen në Gjykatën Kushtetuese.

“Derisa nuk ka akoma një proces valid, FSSHK do mbështet vendimet dhe qëndrimet e saja në precedent dhe vendime të Gjykatës Kushtetutës”.

“Neni 41 dhe 49 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës të cilët flasin për “E Drejtën e Punës dhe Ushtrimin e Profesionit’ është në fuqi dhe valid vlejnë edhe ky qëndrim i yni”, thotë Duraku.

Në rast se ndërrohet Kushtetuta ai pohon se do ta respektojnë.

“Nëse ndërrohet Kushtetuta jemi të obliguar t’i respektojmë dhe t’i përmbahemi, mirëpo kjo duhet të reflektoj në të gjitha profesionet jo vetëm te mjeku”.

Lidhur me këtë çështje Albanian Post, ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Shëndetësisë por që nga të njëjtit nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Pagat e sektorit të Shëndetësisë në rajon

Pagat e mjekëve specialistë në sektorin publik në Kosovë janë rreth 600 euro në muaj.

Gjatë vitit 2021, në Shqipëri janë rritur pagat e mjekëve deri në 40 për qind, duke arritur rreth 651 euro.

Sipas Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, vitin e kaluar mbi 3 mijë mjekë janë larguar nga Shqipëria për të ushtruar profesionin e tyre në Evropë, rreth 1 mijë prej tyre numërohen në Gjermani.

Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë, ka bërë të ditur se për vitin e ardhshëm shëndetësia do të marrë pjesën më të madhe të parave nga buxheti, rreth 630 milionë euro.

Njëra nga protestat e sektorit shëndetësor në Kosovë për rritje të pagës.

Edhe në Maqedoninë e Veriut pagat e mjekëve kanë shënuar rritje mes 40 dhe 50 për qind në periudhën 2017-2020, pas përshkallëzimit të situatës epidemiologjike me COVID-19.

Paga e bazë e një mjeku specialist në muajin shkurt të vitit 2021 ka qenë rreth një mijë e 800 euro.

Përveç pagës bazë, mjekët specialistë marrin 300 deri në 400 euro në muaj për kujdestaritë gjatë fundjavave, festave shtetërore dhe turnetë e natës.

Nga Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, rritja e pagave ka ulur ndjeshëm edhe largimin e mjekëve specialistë nga vendi.

Mjekët vazhdojnë të largohen nga Kosova

Ndyrshe, kuadri specialistik mjekësor, po vazhdon të ikë nga Kosova me qëllim për të kërkuar punë dhe kushte më të mira në vende të ndryshme të botës.

“Vetëm në katër vitet e fundit në Kosovë, kanë kërkuar certifikatë për largim 400 mjekë”. Këtë e kishte bërë të ditur për Albanian Post, kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.

Problemi i ikjes së mjekëve nga Kosova, ka filluar që në vitin 2016 kur qeveria ndaloi së hapuri konkurset për specializantë.

Ndërsa, profesionistë shëndetësorë tashmë kanë deklaruar se për këtë dukuri duhet të ndërmerren masa urgjente, në mënyrë që të zvogëlohet numri i ikjes së mjekëve nga Kosova.

Planet qeveritare, sipas asaj që është prezantuar deri më tani, janë dhënë kryesisht si platforma të përgjithshme, ku nuk flitet për probleme specifike të shëndetësisë. Dhe derisa qeveritarët ndërrohen, ikja e mjekëve të rinj mbanë ritmin e njëjtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore