Një tjetër dispozitë i zhyt gratë iraniane në errësirë

Teksa Ali Khamenei përpiqet të menaxhojë luftën midis Hezbollahut dhe qeverisë izraelite, Këshilli i Gardës miraton një ligj edhe më të ashpër për përdorimin e hixhabit
SHFLETO
Sadiola Xhelili
28.09.2024 22:00
Loading Icons...

Pikërisht kështu funksionon diktatura.

Vetëm një javë më parë, një fjali e presidentit të sapozgjedhur, reformistit Masoud Pezeshkian, befasoi dhe intrigoi pozitivisht shumë analistë.

Në një fjalim për mediat në dyvjetorin e vrasjes së Mahsa Amin-it, ai kishte thënë: “Unë do të siguroj që policia e moralit të mos shqetësojë më gratë”.

Të mërkurën, Këshilli i Gardës, organi i fuqishëm në duart e Ayatollah Ali Khamenei, miratoi një projektligj me një emër mashtrues.

Në realitet, kjo është një dispozitë tjetër që i zhyt gratë iraniane në errësirë: teksti parashikon gjoba financiare, kufizime në përdorimin e internetit, ndalim të udhëtimit jashtë vendit, periudha më të gjata burgimi për ato që nuk mbajnë hixhabin në mënyrë korrekte dhe për ato që promovojnë “lakuriqësinë dhe paturpësinë” në mediat sociale.

Aktivistët e Iranit e dinin këtë.

Ata kurrë nuk e besuan se ardhja e Pezeshkian-it në qeveri mund t’i ndryshonte vërtet gjërat, të çrrënjoste policinë morale, të çlironte gratë nga aparteidi gjinor në të cilin janë detyruar për 45 vjet, që nga revolucioni khomeinist.

“Sepse diktatura është nga natyra e pareformueshme”, komentojnë nga Teherani.

Natyrisht, jo se ky rregull e shqetëson shoqërinë iraniane – ligjet në fuqi për përdorimin e duhur të hixhabit kanë qenë gjithmonë të rënda dhe të padrejta – por këto hapa të vazhdueshëm prapa, këto kufizime që shtohen pafundësisht, acarojnë dhe zgjerojnë thyerjen e pamasë që tashmë ndan qartë shumicën e popullsisë nga qeveria islamike.

Por dje, Pezeshkian mbërriti në këshillin e tij të parë të Kombeve të Bashkuara, duke u prezantuar si dikush që “hyri në fushatën zgjedhore me një program të bazuar në reforma, unitetin kombëtar, ndërveprimin konstruktiv me botën dhe zhvillimin ekonomik dhe arriti të fitonte besimin e bashkatdhetarëve në votime”.

Gazeta britanike The Guardian raporton se Behnam Ben Taleblu i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive e hodhi poshtë atë si “një ndryshim stili, jo thelbi”.

“Është dëshmi se Republika Islamike shpreson të mashtrojë botën thjesht duke i vendosur buzëkuq një derri”.

Teksa ai po shfaqej në Shtetet e Bashkuara, pozicionet e Hezbollahut në Liban po bombardoheshin nga ushtria izraelite.

Që kur ka qenë në qeveri, Pezeshkian është përpjekur të shesë linjën e tij të moderuar, por në vendin e tij, krahu intransigent nuk e ka pasur kurrë qëllimin ta ndjekë, as në imazhin e tij.

Dhe menjëherë pas fjalimit të tij në OKB, Teherani u kujtoi atyre se Irani nuk do të lehtësojë tensionet me Izraelin.

“Pezeshkian është dhe mbetet kukulla e Khameneit”, komentojnë aktivistët.

Prej një viti, regjimi iranian e ka gjetur veten duke luftuar në dy fronte: atë të jashtëm, me milicët e Hamasit dhe Hezbollahut, kundër Izraelit, dhe atë të brendshëm, kundër shumicës së popullit të tij që dëshiron përmbysjen e diktaturës.

Dje, Pezeshkian komentoi sulmet në Liban duke thënë se “terrorizmi i verbër shtetëror i Izraelit nuk mund të mbetet pa përgjigje”.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.