Shqipëria

Një shkëputje për t’u kthyer te realja


“Gjatë telefonatës me mikeshën time më të mirë, vendosim që mbrëmjen, në mungesë të mesazheve në Whatsapp, ta kalonim së bashku.

Kështu, shkova tek ajo dhe nuk reshtëm së biseduari deri në mëngjesin e herët të ditës që erdhi.

Pa telefona nëpër duar dhe me të qeshura që dëgjoheshin”.

Kjo është një nga copëzat e rrëfimit për Albanian Post të Melina Tusunit, studente.

Ndryshe nga vërshimi i shumë të tjerëve drejt platformave alternative të komunikimit online gjatë ndërprerjes së 4 tetorit të shërbimeve në zotërim të Facebook-ut, zgjodhi të shihte buzëqeshje njerëzore dhe jo emoji.

Ajo ka vijuar se:

“Me lajmin se platformat kryesore të komunikimit online nuk po funksiononin, nuk kisha rënë ende në kontakt derisa provova të përdor aplikacionin e mesazheve, Whatsapp, i cili është edhe i parapëlqyeri im për bisedat me shoqërinë.

Atë çast, shoh që asnjë mesazh nuk po dërgohej.

Fillimisht, mendja më shkoi te ndonjë problem i mundshëm me internetin, por pasi telefonova mikeshat, ato më bënë me dije se kishin hasur në të njëjtin problem.

Kështu që, u sigurova se problemi ishte i përgjithshëm”.

Por, nuk u mjaftua me kaq.

“Më vonë u informova, përmes një edicioni lajmesh në televizor, se tre aplikacionet tona më të dashura, qenë ndërprerë.

U mërzita paksa. Kjo erdhi pasi, nëpërmjet tyre, arrija të komunikoja me njerëzit e mi të dashur.

Menjëherë pas marrjes së lajmit, instinktivisht më shkoi ndër mend një skenar i mundshëm se si njerëzit do të mund të mësoheshin pa to.

Të rrallë mund të jenë ata, të cilët nuk janë të lidhur ngushtë me këto platforma. Paçka se një të mirë e kishte, shkëputjen nga bota virtuale dhe kthimin e vëmendjes te ajo e përditshmja reale”.

Dhe ndodhi pikërisht kjo, shkëputja. Tusuni përqafoi realen.

Nuk është çasti për teori konspirative

Eksperti i sigurisë kibernetike, Gëzim Hoxha, ka treguar për Albanian Post se pas konfirmimit të zotëruesit të tre platformave të ndërprera, Facebook, nuk ka vend për pyetjen se kush qëndron pas kësaj.

“A ka diçka tjetër nga prapa? Teori konspirative gjen me shumicë, por problemi duket më shumë teknik dhe i brendshëm sesa sulm kibernetik”, ka thënë eksperti.

Ai ka vijuar se “ka shpëtim gjithmonë në raste pandemie, kjo e fundit e ka fajin, sipas Facebook, stafi i limituar”.

Hoxha mendon se ndërprerja lidhet me një gabim njerëzor dhe me sisteme të mbivendosura sigurie.

“Afektimi ishte kaskadë dhe dëmi ishte kolosal. Më i madhi në historinë e teknologjisë informatike. Në çdo përdorues nga 1.5 bilionë që i përdorin shërbimet pati afektim”, ka treguar ai.

E, nga ana tjetër, eksperti ravijëzon edhe rëndësinë për një decentralizim të mundshëm të mediave të tilla.

“Perandoritë ngrihen dhe bien dhe decentralizimi është më se i nevojshëm”, ka theksuar Hoxha.

Për të “triada që ka ngritur Facebook tregoi dhe njëherë se sa të dëmshme mund të bëhen monopolet dhe ndarja e tyre, me sa duket, është një domosdoshmëri”.

Më të prekurit, bizneset

Kurse eksperti i IT-së, Tomi Kallanxhi, ka treguar për Albanian Post se Facebook nuk ka nxjerrë detaje mbi ndërprerjen dhe shkaktarin e saj, pasi ka frikën e diçkaje tjetër.

“Facebook asnjëherë nuk jep llogari për problematikat që ndodhin për shkak se mund të rrisë mundësinë për sulme kibernetike”, ka thënë ai.

Sipas ekspertit, problemi flitet të ketë lidhje me mosdhënien e një pagesë të domain-it të vet Facebook, facebook.com.

“Në këto raste, ata që preken m preken më shumë janë bizneset e vogla sepse ato janë të investuara kokë e këmbë në Instagram”, ka theksuar Kallanxhi.

Për të, zgjidhja më e mirë do të ishte lëvizja drejt disa mediumeve dhe jo mbetje në një të vetëm.

“Facebook është një gjigant komunikimi, por individët dhe bizneset nuk duhet ta fokusojnë aktivitetin në një medium të caktuar. Ata duhet t’i diversifikojnë ato. Dhe pse jo, t’i kenë të brendshme sistemet”, ka sugjeruar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore