Sport

Një pikë larg ëndrrës


“Shqiponjat” kuqezi do të zhvillojnë këtë të premte ndeshjen e parafundit në kualifikueset e Kampionatit Evropian, Euro 2024, që do të zhvillohet verën e ardhshme në Gjermani.

Shqipëria e drejtuar nga trajneri brazilian, Sylvinho do të përballet me vendasit e Moldavisë në stadiumin “Zimbru”, duke filluar nga ora 18:00.

Ecuria fantastike e Shqipërisë në këto kualifikuese ka parë skuadrën e Sylvinho-s të arrijë katër fitore, një barazim dhe vetëm një humbje në gjashtë ndeshjet e para.

Shqipëria e nisi fushatën me një humbje 1-0 ndaj Polonisë. Ajo disfatë në Varshavë do të thoshte se ata ishin në një seri prej vetëm një fitoreje në 12 ndeshje, por pasi kishte marrë drejtimin për herë të parë në atë përballje me Poloninë, Sylvinho ka bërë dukshëm një ndryshim të madh, i shoqëruar nga Pablo Zabaleta dhe Doriva si ndihmësit e tij.

Paraqitja e tyre e mirë i ka lënë ata në prag të arritjes së një turneu të dytë të madh pas paraqitjes në Euro 2016, përveçse ky kualifikim nuk do të jetë i mbuluar me polemika. Kujtojmë episodin në Beograd dhe fitoren 3-0 në tavolinë me vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS).

Mjafton vetëm një pikë që kuqezinjtë të rezervojnë biletën për në Gjermani verën e ardhshme. Megjithatë, siç e kanë pranuar vetë lojtarët apo dhe trajneri, në Moldavi skuadra nuk ka shkuar vetëm për një pikë, por për më shumë.

Një pikë do të mjaftonte që Shqipëria të kualifikohej, por një fitore do i jepte avantazhin për të përfunduar si vendi i parë në grupin kualifikues dhe pse jo të mos besonte se do të arrinte vazon e parë në shortin për grupet e Evropianit. Aktualisht, Shqipëria është në vazon e dytë.

Megjithatë, transferta në Moldavi nuk do të jetë e lehtë. Skuadra vendase nuk ka humbur asnjë ndeshje në shtëpi në këto kualifikuese. Dhe, mbi të gjitha, ata janë ende në garë për t’u kualifikuar në Euro 2024, pasi kanë 9 pikë, dy më pak se Çekia e vendit të dytë dhe një më pak se Polonia e vendit të tretë. Polonia ka një ndeshje më shumë se ata, ndërsa me çekët do të përballen në takimin e fundit në kualifikuese.

Pra, gjithçka është e hapur në atë sfidë. Shqipëria kërkon pikë, por moldavët nuk do të tolerojnë. Vetë presidenti i Federatës Moldave të Futbollit, Leonid Oleinicenco ka pohuar me bindje se skuadra e tij do të fitojë me “dy gola” ndaj kuqezinjëve, ndonëse këta të fundit janë një skuadër tepër e fortë.

Shqipëria e Sylvinho-s ka treguar në këto kualifikuese se është ndryshe nga ajo Shqipëri e Edy Reja-s, Christian Panucci-t e shumë të tjerëve para tyre. Madje mund të thuhet se ka performuar edhe më mirë se Shqipëria e Gianni de Biasi-t, e cila ishte skuadra e parë kuqezi që kualifikohej në një turne madhor të UEFA-s, si Euro 2016 në Francë.

Shqipëria e Sylvinho-s është ajo e një grupi të bashkuar, të fortë, plot talent dhe që sakrifikon për fanellën. Këtë bashkim e ka falë brazilianit dhe punës së tij të palodhshme.

Shqipëria e Sylvinho-s është ajo që kënaq tifozët edhe kur humbet, sepse luan mirë. Është edhe ajo që di të marrë fitore cinike. Ajo që fiton me bindje të plotë edhe ndaj kundërshtarëve më të fortë në letër. Dhe, së fundmi, ajo që nuk pëson më ata golat qesharak në minutat e fundit të çdo pjesë, sidomos në fund të pjesës së dytë.

Shumë aspekte të lojës kanë ndryshuar te kuqezinjtë, skuadra ka një bosht lojtarësh dhe deri më tani ka arritur të bëjë mirë pa superyllin Armando Broja. Edhe pse, lojtari i Chelsea-t është një lojtar i domosdoshëm për ndeshje të kalibrit të Kampionatit Evropian, atje ku lojtarët me peshë bëjnë diferencën.

Historiku i përballjeve

Të rikthehemi te ndeshja me Moldavinë. Një ndeshje ndaj një kundërshtari që Shqiperia nuk njeh humbje. Janë zhvilluar gjashtë ndeshje në total mes dy skuadrave dhe kuqezinjtë kanë dal triumfues në pesë raste. Një takim ka përfunduar në barazim.

Shqipëria i ka fituar të pesta ndeshjet kualifikuese për Evropianin përballë Moldavisë. Dy në vitin 1995, dy të tjera në 2019 dhe e fundit ishte në verën e këtij viti. Përgjithësisht kuqezinjtë kanë shënuar 14 gola dhe kanë pësuar vetëm tre.

Në ndeshjen e fundit, që i përketë këtyre kualifikueseve, Shqipëria triumfoi 2-0 në “Air Albania” falë golave të Jasir Asanit dhe Nedim Bajramit.

Takimi i të premtes do të jetë në një stadium ku për herë të fundit kuqezinjtë kishin shënuar katër herë. Më 14 tetor 2019, Shqipëria fitoi 0-4 në Moldavi me golat e Sokol Cikalleshit, Keidi Bares, Lorenc Trashit dhe Rei Manajt.

Nga fitorja e fundit në fushën e Moldavisë një pjesë e atyre lojtarëve kuqezi të drejtuar nga Reja do të jenë sërish në fushë apo në stol të tillë si Thomas Strakosha, Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli, Klaus Gjasula, Bare, Cikalleshi, Etrit Berisha, apo dhe Ylber Ramadani.

Megjithatë, asnjë prej skuadrave nuk është e atij niveli të treguar në atë ndeshje të 2019. Të dyja janë shumë herë më lartë se në atë kohë. Shqipëria dihet tashmë, por edhe Moldavia e ka rritur shumë nivelin e saj.

Moldavët numërojnë vetëm një humbje në gjashtë takimet kualifikuese për Euro 2024, atë ndaj Shqipërisë në “Air Albania”. Gjithashtu kanë arritur një fitore spektakolare duke përmbysur një disavantazh 0-2 ndaj Polonisë në shtëpi dhe tre barazime, dy prej të cilëve kanë ardhur në “Zimbru”.

Pavarësisht se Shqipëria është e vetmja skuadër deri më tani që i ka marrë pikët e plota ndaj moldavëve, sfida e së premtes premton një spektakël të vërtetë në fushë dhe në tribuna. Priten mbi 500 tifozë kuqezi në stadium.

Ndikimi i ndeshjes në kualifikim

Një fitore për vendasit do u rriste shpresën për të arritur në një kompeticion madhor të UEFA-s, si Euro 2024. Në krahun tjetër, një humbje do të bëntë që Shqipëria të kërkonte kualifikimin në takimin e fundit në kualifikuese të cilin e ka në “Air Albania” tri ditë më vonë përballë Ishjve Faroe. Për kuqezinjtë edhe në atë ndeshje do të nevojitej vetëm një pikë për kualifikim.

Nëse Moldavia do të humbiste, do t’i duhej një barazim në ndeshjen tjetër të grupit midis Polonisë dhe Republikës Çeke (ora 20:45), pasi një fitore ndaj çekëve javën e ardhshme do t’i kualifikonte pas Shqipërisë.

Nëse Republika Çeke fiton në Poloni dhe Moldavia nuk arrin të fitojë kundër Shqipërisë, atëherë kjo do të shihte skuadrën e Sylvinho-s të përparojë bashkë me çekët.

Por, fitoret për Moldavinë dhe Poloninë të premten do të shihnin vetëm dy pikë që ndajnë katër kombet, duke e bërë atë një nga grupet kualifikuese më të luftuara në kujtimet e fundit.

Situata në dy kampet

Menaxheri Serghei Clescenco ka zgjedhur të njëjtin grup lojtarësh që i ka shërbyer aq mirë në këtë sezon deri më tani, kështu që ata mund të jenë të pandryshuar nga skuadra që i rrëmbeu një pikë Polonisë muajin e kaluar në transfertë.

Sulmuesi Ion Nicolaescu është rikthyer nga dëmtimi në kohën e duhur për vendin e tij, pasi lojtari i Heerenveen nuk ishte paraqitur që nga ndeshja me Poloninë përpara se të bënte një paraqitje 12-minutëshe fundjavën e kaluar kundër Vitesse, ku shënoi gol.

25-vjeçari ka qenë njeriu kryesor për Moldavinë, duke shënuar golin e barazimit kundër Ishujve Faroe, si dhe ka shënuar tre gola në dy ndeshjet e tyre me Poloninë.

Armando Broja i Chelsea-t është mungesa e befasishme te skuadra shqiptare, pavarësisht rikthimit të tij së fundmi nga dëmtimi dhe aktivizimit në ndeshjen ndaj Manchester City-t ku ai fitoi 11 metërsh në minutat e fundit të ndeshjes.

Ashtu si kundërshtari i tij, Sylvinho ka zgjedhur të qëndrojë me grupin që e ka çuar Shqipërinë në prag të kualifikimit, kështu që edhe ata mund të mbeten kryesisht të pandryshuar.

Ata do të detyrohen të paktën në një ndryshim, pasi Arlind Ajeti është tërhequr i dëmtuar, duke iu bashkuar mbrojtësve të tjerë që janë jashtë si Marash Kumbulla dhe Enea Mihaj.

Ardian Ismajli do të jetë rikthimi për vizitorët, që do të thotë se Shqipëria ka të ngjarë të sjellë shtatë lojtarë me bazë në Serie A që nga fillimi i ndeshjes.

Deklaratat e trajnerëve

Te enjten pasdite dy trajneret kane dal ne konferencen e fundit per shtyp para ndeshjes.

Serghei Clescenco, trajneri i kombëtares moldave u shpreh se “Unë e njoh kombëtaren shqiptare, kemi luajtur me ta jo shumë kohë më parë. Humbëm 0-2, shpresoj të kemi nxjerrë konkluzione dhe shpresoj për një rezultat pozitiv”.

“Ndeshja me Shqipërinë është shumë e rëndësishme, nuk po mendojmë ende për ndeshjen me Çekinë. E kuptojmë që është më mirë të vdesim në fushë tani sesa të lëmë gjithçka për ndeshjen me Çekinë”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, Sylvinho i kuqezinjëve u shpreh se: “E dimë se kemi një finale dhe një ndeshje të rëndësishme. Lojtarët e reflektojnë seriozitetin dhe janë të ndërgjegjshëm që nuk ka mbaruar asgjë për kualifikimin”.

“Kemi bërë një ndeshje të mirë në shtëpi me Çekinë. Lujamë ndaj Moldavisë, një ekip i fortë, shumë cilësor me lojtarë të mirë dhe fizikë, dhe shumë e vështirë në shtëpinë e saj”, deklaroi Sylvinho.

Formacionet e mundshme

Moldavia: Railean; Revenco, Craciun, Baboglo, Marandici, Reabciuk; Postolachi, Motpan, Rata, Cojocaru; Nicolaescu.

Shqipëria: Berisha; Hysaj, Ismajli, Djimsiti, Mitaj; Asllani, Ramadani, Bajrami; Asani, Cikalleshi, Seferi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore