Një përplasje e Rai me Engjëll Agaçin
Rajmonda Basha
22.04.2024 10:00Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi ka reaguar pas transmetimit të një reportazhi në emisionin italian Report në Rai 3 ku flitet për marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët.
Përpos zbulimit të llogaritjeve të operacionit të emigrantëve në Shqipëri ku përmenden “një seri mospërputhjesh”, është theksuar dhe se identiteti i njeriut kyç i marrëveshjes është Engjëll Agaçi.
Ai është cilësuar edhe si “ish-avokat i eksponentëve kryesorë të mafies shqiptare në Itali, në qendër të një tentative të bujshme për të korruptuar kreun e Interpolit të Romës”.
Në një reagim për gazetën italiane “La Repubblica”, Agaçi ka paralajmëruar se do bëjë padi për shpifje ndaj emisionit duke theksuar se e ka lënë detyrën ligjore 10 vjet më parë.
“Kam lënë detyrën ligjore dhjetë vjet më parë dhe krahasimi i bërë nga programi televiziv Report është shumë i dëmshëm për reputacionin tim. Unë kam udhëzuar tashmë avokatët e mi italianë që të ngrenë një padi për shpifje kundër programit televiziv shtetëror italian. Burimet duhet të verifikohen dhe po ashtu edhe lajmet”, ka thënë Agaçi në reagim.
Në emisionin e transmetuar në orën 21:00, thuhej ndër të tjera se “në vitin 2016, disa nga klientët e Agaçit përfunduan në qendër të një polemike ligjore.
Sa i takon mospërputhjeve në pakt, reportazhi nxjerr disa problematika të palës italiane duke filluar nga kapaciteti i qendrave të pritjes deri te kostot.
“Ndërtimi i dy qendrave ka shkuar nga 35 milionë në 65 dhe rrezikon të rritet me tej duke qenë se është shtyrë afati i punimeve”.
Nga ana tjetër, vë në dukje dhe përfitimet ekonomike që merr Shqipëria, nga shërbimet mbarëvajtja.
Reportazhi prek dhe kredibilitetin e qeverisë shqiptare në lidhje me transparencën e vijueshmërisë duke sjellë raste si ai i ish-ministrit Saimir Tahiri dhe duke përmendur vëllain e ish-ministrit Fatmir Xhafaj i akuzuar në Itali për pjesëmarrje në grup kriminal.
Ndër të tjera, vë në pikëpyetje drejtësinë shqiptare në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Për këtë, gazetari Giorgio Mottola është ndalur edhe tek akuzat që i janë bërë Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit Edi Rama nga opozita.
“Nga ky hetim lindi një proces gjyqësor ku narko-trafikantët janë dënuar ndërsa Olsi Rama as të paktën nuk u mor në pyetje. Emri i tij, madje është fshirë nga dosjet gjyqësore”, thuhet në dokumentin e emisionit “Report”.
Ndërsa, në këtë të fundit u komentua dhe vetingu në Shqipëri. Kjo, pasi ish-prokurori italian Francesco Mandoi që për 20 vjet kishte qenë një pikë lidhjeje mes prokurorisë italiane të anti-mafias dhe prokurorisë shqiptare, tha se nuk ka kushtet e duhura për ta zhvilluar vendi ynë.
Përpos këtyre janë sjellë në vëmendje dhe pretendimet e Francesco Bechettit për sekuestrot që mund të ndodhin.
Por, për këtë vetë emisioni përmend nenin e paktit që tregon se marrëveshja është e “blinduar” nga çdolloj sekuestro që lidhet me kreditorë të ndryshëm.