Shqipëria

Një PD, me të cilën s’dihet ç’bëhet


Nuk e ka një përgjigje për fatin e Partisë Demokratike në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, as vetë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili drejton organin më të lartë zgjedhor në vend dhe merret posaçërisht me këtë çështje.

Fati i ndarë i të djathtëve, prej më shumë se një viti tashmë, as nuk ka pasur zgjidhje dhe as në horizont të hershëm, nuk duket se do të ketë.

“Edhe unë i ndjek lajmet dhe i shoh zhvillimet dhe kam gjykimet e mia. Kur të vijë puna e vendimmarrjes do të jetë rrjedhojë e gjykimit dhe vlerësimit tim.”.

Me këtë përgjigje, Celibashi kërkoi ta “anashkalojë” betejën e listave për komisionarët demokratë, lidhur me dy dorëzime që janë bërë.

I pari, prej përfaqësuesit ligjor të PD-së pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Indrit Sefa dhe i dyti, me atë të bërë nga deputeti demokrat, njëkohësisht Sekretar i Përgjithshëm i forcës politike, Flamur Noka.

Të dy dorëzimet, janë lista të ndryshme, me propozimet për anëtarët e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor, lidhur me votimet që pritet të mbahen më 14 maj.

Siç parashtroi Celibashi, nëse do të ishte ai vetë formal, do të kishte reflektuar se përgjigjen mbi caktimin e “fatit” të komisionerëve të PD-së, media dhe qytetarët, do ta merrnin kur ai ta merrte vendimin dhe jo përpara.

Por, për të “eliminuar hipokrizinë”, ai nuk kërkon të veprojë sikur “nuk e njeh realitetin politik”, në të cilin vendi ndodhet aktualisht.

Të dy kërkesat janë zyrtare dhe vendim (për anëtarët me logon e PD-së), veç një mund të ketë.

Njëkohësisht, komisioneri shpjegoi edhe se po vijohet me procesin e verifikimit të dokumentacionit, mbi propozimet e anëtarëve.

Në zgjedhjet e fundit vendore – ato të pjesshme – Celibashi, i cili ka edhe fuqinë ligjore, vendosi që të drejtë t’i japë grupit Alibeaj për kandidimet dhe jo atij të Berishës.

Më pas, ishte lidhja mes Berishës dhe Ilir Metës, nën logon “Shtëpia e Lirisë”, ajo që jo vetëm tejkaloi PD-në zyrtare me numër votash, por arriti edhe t’i marrë Bashkinë Shkodër socialistëve, pavarësisht përçarjes së brendshme.

Këtë herë, nuk dihet se si Celibashi do të veprojë, edhe pse ai garanton vendimmarrje në respektim të plotë të ligjit.

“Realisht më vjen keq që gjendemi në këtë situatë, jo për KQZ-në. Nuk kemi asnjë lloj interesi politik dhe asnjë simpati politike jo vetëm për këtë çështje, por për të gjithë procesin”, tha ai, sërish në kërkim për të evituar një përgjigje reale lidhur me kauzën.

Nga ana tjetër, në pritje është çështja edhe në Gjykatën Kushtetuese, ku me tërheqjen e kërkesës së Alibeajt nga bashkimi i statuteve, i vetmi problem për t’u zgjidhur, është ai i vendimit të Gjykatës së Tiranës (i njohur si vendimi i Agron Zhukrit), për të njohur statusin e Berishës, dalë nga Kuvendi i 11 dhjetorit 2021.

Se kur Kushtetuesja do të shprehet mbi vendimin, nuk dihet ende saktë.

Në ndërkohë, PD-ja dhe rasti i saj mbetet sërish në udhëkryq.

Me të, s’dihet më ç’bëhet, as nga ata të cilët duhet të japin përgjigje e të marrin vendime!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore