Libra

Një njeri me brendësi poetike dhe profetike


George Santayana (1863-1952), filozof spanjollo-amerikan

“Ata që e mbajnë mend nga ligjëratat, e kujtojnë si një shpirt solemn, të ëmbël e të tërhequr në vete. Fytyrën si të Shën Xhonit të Renesansës. Sytë abstrakt dhe buzëqeshjen hieratike, gjysëm telashexhi e gjysëm i kënaqur; zërin e tij të pasur që jehonte heshtazi në ajër, aq të lehtë e të balansuar, si  një liturgji; përsëritjet e të cilit kanë përsosmërinë e brendshme të poezisë dhe të profecisë; i cili fliste ‘për’ dëgjuesit e tij, duke ua nxitur brendësitë e thella të shpirtërave, duke ua shkundur mendjen, si orakull. Aq thukët i thoshte gjërat më të largëta dhe aq fascinues ishte. Aq lëvizës dhe aq i palëvizur”.

Kështu e përshkruan një student i Universitetit të Harvardit, profesorin e tij dhe filozofin më të madh që kanë mbajtur muret e Harvardit përbrenda, George Santayana-n.

Santayana, një prej emrave më të mëdhenj të filozofisë së shekullit 20-të, ishte njeri i tërhequr në vetminë dhe ëmbëlsinë e filozofisë dhe letërsisë. Filozofi i cili e qeshte nën vete popullaritetin akademik të miqve të tij.

Privatësia e tij, s’ishte asgjë tjetër pos privatësi studimi, studim i përjetshëm i Platonit dhe Aristotelit.

Eseu i tij i parë filozofik ishte ‘The Sense of Beauty’ (1896), i cili me t’u botuar u cilësia si kontributi më i madh amerikan në fushën e Estetikës. Më pas shkroi vëllime më fragmentare, dhe shumë më të lexueshme, të titulluara ‘Interpretations of Poetry and Religion’.

Eseu i parë filozofik i botuar nga George Santayna

Pas receptimit të tij si poet dhe estet në botën e letrave amerikane, për pesë vite me rradhë, si gjgand i fjetur, George Santayana prodhoi “magnum opus”-in e tij, ‘The Life of Reason’, vepër kjo e cila i fitoi fronin në katallogun e veprave të përjetshme filozofike.

Në këtë vepër shtrihet madhështia e imagjinatës spanjolle, e shkrirë me gjentilitetin evropian, mendjen praktike e pragmatiste amerikane, dhe e dozuar me etikën e re individualiste që kishte zënë rrënjë në mainstream-in e disponimit perëndimor.

Një njeri mbi dogmat dhe sofistikimet e panevojshme të kredove filozofike konzervatore, emancipoi mendimin dhe tekstin, me të arsyetuarin e tij të qetë, të kulluar dhe me prozë të përsosur.

Që nga Platoni, ndoshta, askush s’ka shkruar më bukur se ai, ku saktësia dhe bukuria e fjalive, bashkëjetojnë simbiotikisht, me fraza aq delikate e të dëlira, të thella dhe të therrshme me satirë, me metafora lluksoze, me paragrafe të ngjyrshme.

Pasi e la postin e profesorit në Harvard, dhe shkoi të jetojë në Angli, ai shkroi veprën e tij kanonike ‘Scepticism and Animal Faith’, filozofinë e së cilës e quajti ‘Realms of Being’.

Tashmë 60 vjeçar, ishte dehëse të lexohej ky njeri në udhëtimet më të largëta abstrakte e të padukshme, që përtej fizikalitetit në metafizikalitet, solli në duart e tona, një filozofi aq të gjallë dhe të thukët, e të vesjir me aq shumë stil letrar.

Kjo vepër përmblodhi të gjithë ‘të vërtetën’ e mendimit filozofik të Santayana-s.

“Këtu gjeni një tjetër sistem të filozofisë. Nëse lexuesi ndihet i buzëqeshur, ju siguroj se buzëqesh bashkë me të. Unë thjesht jam duke synuar të shpreh për lexuesit parimet sipas të cilave ai buzëqesh”.

George Santyana, i cili emrin origjinal të lindjes e kishte Jorge Agustín Nicolás Ruiz de Santayana y Borrá

“Nuk kërkoj nga askush që të mendojë sipas termave të mi nëse preferon të tjerë. Le t’i pastrojnë, nëse munden, më mirë dritaret e shpirtërave të tyre, që shumësia dhe bukuria e këtij prospekti të ndriçojë e të shpërndahet më shumë”, shkruan në parathënjen e kësaj vepre.

Santayana fillon të trajtojë Idealizmin në filozofi duke i vendosur sanksionin pragmatist se ajo s’prodhon kurrëçfarë konsekuence, dhe konsideron se gjermanët idealizmin e kanë quar deri në nivel absurd dhe të çmendur.

“Gjermanët, idealizmin e kanë çuar deri në sëmundje, sikurse një i çmendur që përjetësisht lanë duart, për të pastruar baltë që s’ekziston”.

“Në filozofi të natyrës unë jam materialist i vendosur – qartazi i vetmi materialist që ekziston. Por unë s’pretendoj të di se çka është materia në vetvete, për këtë pres që njerëzit e shkencës të më tregojnë. Por çfarëdo që të jetë materia, e quaj materie me bindje të plotë, sikurse miqt e mi Smith-in dhe Jones-in që i quaj Smith dhe Jones, pa u’a ditur sekretet”.

Në faqet e Santayana-s vërejmë melankolinë e aristokratit spanjoll që është shkëputur nga gjithçka që ka njohur për një Amerikë të thatë e të pashpirtë.

“Që jeta ia vlen të jetohet, është një prej supozimeve më të domosdoshme, dhe po të mos e supozonim, do të ishte konkluzioni më i pamundur”, shkroi Santayana.

George Santayna në kohët e fundit të jetës së tij

Sensi i tij sublim për estetikën, ndoshta e kishte bërë Santayanan të mos e përballonte shëmtinë e botës që e rrethonte, dhe jo rrallëherë shpërthente me tharrtinë e tij satirike ndaj botës.

Margaret Munsterberg e pëshkruan Santayanan në një rast se “ai kishte një preferencë natyrore për vetmi. E mbaj mend njëherë para një anije të ankoruar në Southampton duke vështruar pasagjerët në turma që shkonin drejt asaj avulluese; kush mund të jetë ai pos Santayana, më tha një zë që më erdhi nga pas, dhe ndiem kënaqësinë që gjetëm atë aty, një njeri që i qëndron i vërtetë karakterit të tij”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore