Kosova

Një nga tre të plagosurit në Pejë në gjendje të rëndë shëndetësore – “ka pasur shumë gjakderdhje, janë prekur enët e mëdha të gjakut”


QKUK.

Njëri nga tre personat e plagosur me armë zjarri të mërkurën mbrëma në qytetin e Pejës, nga dorasi që ende është në arrati, po vazhdon të trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe nga informacionet e fundit gjendja e tij shëndetësore mbetet e rëndë.

Shefi i Klinikës Intensive në QKUK, Shaqir Uka, në një bisedë për Albanian Post, ka bërë të ditur se stafi mjekësor është duke bërë maksimumin për të stabilizuar gjendjen shëndetësore të pacientit.

“Po, njëri nga të plagosurit është në Klinikën Intensive duke u trajtuar. Plagët janë në regjionet e poshtme të barkut (abdomenit) që kanë përfshi lëndimet të enëve të mëdha të gjakut, dëmtime të kockës në këmbën e majtë të cilat kanë qenë shumë gjakderdhëse”, tha Uka, duke shtuar se intervenimi kirurgjik ndaj pacientit ka zgjatur me orë të tëra.

“Pacienti vazhdon të jetë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Pacienti i është nënshtruar intervenimit kirurgjik i cili ka zgjatur nga mesnata deri në orët e mëngjesit”, tha Uka.

Pacienti që po trajtohet në QKUK është një nga tri viktimat e një sulmi me armë zjarri që ndodhi në Pejë, për motive që organet e rendit akoma nuk i kanë bërë të qarta.

Nga një video që po qarkullon në rrjete sociale e këtij rasti, xhirim amator nga një dëshmitar okular, shihet një person tek provon ta qëllojë me armë zjarri një tjetër.

Më pas, përfshihet edhe një person i tretë dhe përfundimisht dorasi qëllon të dy duke i lënë të shtrirë në tokë.

Viktimat fillimisht u dërguan në Spitalin Rajonal të Pejës për t’u transferuar në QKUK për kujdes intensiv.

Policia tashmë ka bërë të ditur edhe identitetin e dorasit, i cili po kërkohet për “vrasje e rëndë në tentativë”.

Ai është Agron Gashi nga fshati Ozdrim i Pejës.

Bëhet fjalë për një 21 vjeçar, i cili, siç kuptohet, ka pasur edhe në të kaluarën raste të përfshirjes në përleshje.

Në Pejë, sipas policisë, ai njihet me nofkën “Gon Ozdrimi”.

Por, nata e të mërkurës së 22 majit nuk pa vetëm këtë rast të plagosjes në Pejë.

Një tjetër ngjarje e ngjashme ka ndodhur edhe në Prizren ku mbetën të plagosur dy presona në një rast ku policia njofton të jenë të përfshirë 11 persona.

Policia ka njoftuar se po i vazhdon hetimet për të dyja rastet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore