Kulturë

Një muze – jo vetëm për gruan


E ftuar në intervistë për Albanian Post, Elsa Ballauri flet për themelimin “Muzeu i Gruas” (MiG), si dhe gërshetimin e këtij muzeu me eksperiencën e saj si aktiviste e të drejtave të grave.

Elsa Ballauri ka qenë prezente dhe aktive në sferën e  të drejtave të njeriut, që në vitin 1990; ashtu dhe në gazetari, prej vitesh.

Ajo ka siguruar dokumente, artefakte, veshje edhe sende të ndryshme që dokumentojnë historinë,  rolin dhe rëndësinë që ka pasur femra në Shqipëri në vitet 1920-1930, e deri më sot.

Por, në fokus nuk është vetëm gruaja dhe historia e saj në Shqipëri, ashtu është edhe prejardhja e saj që nga antikiteti e deri më sot.

Ky inovacion i kulturës dhe historisë është i hapur dhe madje, i drejtohet rinisë më tepër se sa grupmoshave më të vjetra, për arsye se veç ekspozimit, duke cituar fjalët e Elsa Ballaurit, “qëllimi kryesor i kësaj iniciative është edukimi”.

E pyetur për raportin e iniciativës së saj personale dhe angazhimit për të drejtat e njeriut, ajo u përgjigj:

“U bë shkas një çmim ndërkombëtar, i quajtur ‘Pishtari i Grave’ dhe sipas kësaj, duhej të merrja një zotim. Gjithshka ndodhi shumë shpejt, dhe cudia më e madhe për mua ishte se kuptova që idea e muzeut kishte qënë brenda meje dhe unë thjesht nuk e kisha artikuluar. Mendoj që kjo gjë ndodh gjithmonë me koleksionistët e pasionuar”.

MiG është iniciativë personale e Elsa Ballaurit dhe është i pari në llojin e tij në Shqipëri.

Muzeu është organizuar brenda një apartamenti të viteve 1960, në krye të rrugës “Myslym Shyri”; në qendër të Tiranës dhe afër Muzeut Kombëtar, Muzeut ‘Shtëpia e Gjetheve’ dhe Galerisë së Arteve.

Muzeu mbetet i hapur nga e hëna në të premte, nga ora 10:00 – 17:00. Është i hapur edhe ditën e shtunë nga ora 10:00 deri në orën 17:00, të dielë qëndron i mbyllur./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore