Kosova

Një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për “fajde” dhe “detyrim”


Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, të shtunën e 22 qershorit ka caktuar një muaj paraburgim për dy të arrestuarit për fajde dhe detyrim, që u kapën gjatë aksionit të Policisë së Kosovës që u realizua një ditë më herët.

Të premten e 21 qershorit Policia zhvilloi aksion në tri lokacione të ndryshme në Gjilan, duke arrestuar dy persona me inicialet M.SH. dhe E.SH., të cilët dyshohen për veprat penale “fajde” dhe “detyrim”.

Një person dyshohet të jetë dëmtuar me shumë prej 600 mijë eurosh nga personat e lartpërmendur.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve M.SH dhe E.SH dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, për secilin”, u tha në njoftim.

“Gjykata vlerësoj se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, sepse nëse lihen në liri të pandehurit M.SH dhe E.SH mund të ikin dhe të shmangen nga procedura penale, po ashtu nëse do të mbrohen në liri, mund të arratisen për t’i ikur përgjegjësisë penale para se cilës ndodhen, si dhe egziston mundësia për të ndikuar tek i dëmtuari si dhe dëshmitarët, me qëllim që ti ndryshojnë rrethanat e kryerjes së veprës penale si dhe për ti fshehur dhe asgjësuar provat”, u tha tutje në njoftim.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndërkaq , ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka theksuar se toleranca ndaj kriminaliteteve si fajdeja e haraçi dhe çdo fenomeni të dëmshëm për qytetarët ka përfunduar.

“Deri më tash janë arrestuar 7 persona, të cilët përmes aktiviteteve kriminale kanë përfituar vlera milionëshe nga qytetarët tanë përmes frikësimit dhe detyrimit fizik. Toleranca ndaj kriminaliteteve si fajdeja e haraçi dhe çdo fenomeni të dëmshëm për qytetarët dhe shoqërinë tonë ka përfunduar”, theksoi Sveçla.

Ai ka shtuar se organet e rendit do të vazhdojnë pa u ndalur dhe pa kompromis luftën ndaj çdo ilegaliteti në vend.

“I lus dhe inkurajoj të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me institucionet e sigurisë që askush të mos jetë viktimë e individëve apo organizimeve kriminale”, potencoi kreu i MPB-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore