Kosova

Një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve për bixhoz të paligjshëm në rastin “Karaçeva”


Të dyshuarit në rastin “Karaçeva” në Gjykatë

Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, u ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji dy të dyshuarve Liridon Kryeziu dhe Mustafë Leka, nën dyshimin se organizuan bixhoz të paligjshëm në fshatin Karaçevë e Poshtme të Komunës së Kamenicës.

Kjo masë është caktuar nga gjykatësi i procedurës paraprake, Sadri Krasniqi, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, e cila është shqyrtuar të enjten, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja Kujtesa Fazliu gjatë leximit të kërkesës ka thënë se konsideron që janë përmbushur arsyet për caktimin e kësaj mase.

Tutje prokurorja ka thënë se të dyshuarit janë recidivistë dhe do të pengojë rrjedhën e procedurës penale nëse lihen në liri.

Ndërsa, mbrojtësi i të dyshuarit Liridon Kryeziu, avokati Ymer Huruglica, ka thënë se konsideron se në kërkesën e prokurorisë arsyet vetëm janë numëruar si një numër i fakteve dhe provave, mirëpo sipas tij, si të tilla këto nuk vërtetojnë se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet.

Edhe mbrojtësi tjetër i të dyshuarit Mustafë Leka, avokati Lulzim Canaj, ka thënë se e kundërshtojnë kërkesës e prokurorisë, duke konsideruar se paraburgimi nuk është e vetmja masë për sigurimin e të pandehurit në rrjedhën e  procedurës penale.

“I mbrojturi im është arrestuar në shtëpi dhe jo në ndonjë lokal ku pretendohet se është kryer vepra penale”, ka thënë avokati Canaj.

Ai ka kërkuar nga gjykata që mos ta aprovojë kërkesën e prokurorisë, duke theksuar se edhe me masa tjera alternative mund të sigurohet prezenca e të mbrojturit të tij në rrjedhën e ardhshme të procedurës penale.

Prokuroria Themelroe në Gjilan, më 15 dhjetor 2021, ka parashktuar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve Liridon Kryeziu dhe Mustafë Leka, duke i ngarkuar ata me veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, nga neni 294 paragrafi 2 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme prej gjashtë muajve deri në pesë vjet.

Sipas prokurorisë, i dyshuari Liridon Kryeziu nga koha e pacaktuar deri më 15 dhjetor të këtij viti, në fshatin Karaçevë e Poshtme të Kamenicës, te rruga e Breznicës tek objekti i Kaolinit, në lokalin pa emër, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror ka organizuar lojëra bixhozi dhe lojëra fati, lojëra këto në kundërshtim me ligjin për ndalimin e lojërave të fatit me numër 06/L-155.

Në diapozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se, i dyshuari Mustafë Leka, nga koha e pacaktuar deri më 15 dhjetor të këtij viti, në fshatin Karaçevë e Poshtme të Kamenicës, në lokalin pa emër të ndërtuar me material të fortë me pozicion në anën e djathtë të rrugës Novosellë-Karaçevë e Poshtme, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror ka organizuar lojëra bixhozi dhe lojëra të fatit, lojëra këto në kundërshtim me ligjin për ndalimin e lojërave të fatit me numër 06/L-155.

Ndryshe, Policia e Kosovës (PK) të mërkurën ka zhvilluar një aksion në fshatin Karaçevë, ku janë arrestuar dy persona dhe janë gjetur dhe konfiskuar aparate të lojërave të fatit, pistoletë, fishekë, shtëpiza kompjuterike, laptop, gjeneratorë e para të gatshme.

Më 15 dhjetor, Policia e Kosovës nën urdhrat e Prokurorisë Themelore në Gjilan, ka zhvilluar një operacion të ri në zonën e Karaçevës, aksion ky kundër kumarxhinjve të paligjshëm dhe kazinove.

Policia e Kosovës gjatë aksionit në Karaçevë.

“Kjo zonë po kontestohet pak edhe prej KFOR-it në bashkëpunim me organet e policisë dhe ushtrisë së Serbisë, se gjoja kjo pjesë nuk dihet ende se a është me Kosovën apo me Serbinë, por shumë herë është dëshmuar se kjo pjesë është e Kosovës me anë të kadastrës”.

“Për këtë arsye këtu janë zhvilluar veprimtari ilegale, kontrabanda, për shkak se përpara nuk ka pasur rast që ka ndërhyrë policia e Kosovës, derisa herën e parë ndërhyri policia e Kosovës dhe shkatërroi ato veprimtarit ilegale, dhe kjo është e dyta herë, dhe tash është mirë që të krijohet bindja që të mos fillojnë ndërtimin e këtyre veprimtarive ilegale”, është shprehur Surdulli për KlanKosova.

Policia e Kosovës gjatë aksionit në Karaçevë.

“Pse po ndodhin këto veprimtari pikërisht, në këtë zonë, nuk ka kush prej qeverisë, apo prej organeve kompetente të Kosovës që të ndërhyjnë dhe të ndalojnë veprimtarinë e tyre, ajo ndodhi para disa muajve por ndërkohë prapë filluan dhe u ndërtuan edhe tri kazino të tjera, të cilat kanë filluar veprimtarinë për disa muaj, teksa në mëngjes e pamë se të njëjta janë shkatërruar”.

Operacioni policor ka filluar në orët e hershme të mëngjesit si rezultat i një hetimi në vazhdimësi dhe të bashkërenduar me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Themelore në Gjilan, lidhur me pretendimet për veprimtari të paligjshme, përfshirë bixhozin e paligjshëm dhe aktivitete tjera.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, për Albanian Post ka bërë të ditur detaje pas përfundimit të operacionit “Organizim të skemave piramidiale dhe bixhozit të paligjshëm”.

“Në këtë rast janë arrestuar dy persona të cilët janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës dhe me urdhër të prokurorit të shtetit të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë”, ka thënë Hashani.

Ai ka bërë të ditur po ashtu se gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar edhe prova materiale.

“96 aparata të lojërave të fatit, katër shtëpiza kompjuterike, tre llaptop, tre monitor, dy televizion që janë përdorur për lojëra të fatit, një pistoletë e llojit Ekol special 99 së bashku me shtatëmbëdhjetë 17 fishekë, një gjenerator si dhe 469, 15 euro (të gjeturat në aparatet e lojërave të fatit).

Aksione të tilla, policia ka pasur edhe në të kaluarën pasi organizimi i skemave piramidale në fshatin kufitar në Karaçevë është një dukuri e shpeshtë.

Ndryshe, edhe më tre dhjetor, Policia e Kosovës ka realizuar aksionin “Subvencioni 2021”, Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se janë arrestuar 31 persona nga ky aksion.

Aksioni është zhvilluar në komunat: Pejë, Istog, Ferizaj, Lipjan, Prishtinë, Kllokot, Vushtrri, Podujevë.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore