Kosova

Një muaj paraburgim i caktohet ish-ushtarit të UÇK-së të arrestuar në Serbi


Xhevdet Smakiqi, avokat i ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hasan Dakaj që u arrestua më 5 janar nga autoritetet e Serbisë në pikëkalimin kufitar në Merdarë, ka njoftuar se klientit të tij i është vazhduar masa e paraburgimit prej një muaji.

“Me email jemi njoftuar nga avokati i tij që i është caktuar nga shteti serb masa e paraburgimit prej 30 ditësh, por ne do bëjmë ankesë”, tha Smakiqi për Albanian Post.

Një ditë më parë, avokati Smakiqi i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti, ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe secilit diplomatë që të bëjë “presion diplomatik e politikë” që ndërmjetësit e dialogut dhe ambasadat e vendeve mike të ndikojnë që Hasan Dakaj i pafajshëm të lirohet sa më shpejtë.

“Kurse thirrjet nga zyrtarët e shtetit të Kosovës qofshin dhe diplomatë të Kosovës që qytetarët e Kosovës të mos lëvizin nëpër territorin e Serbisë janë tërësisht jo profesionale dhe vegjetojnë arrestimet politikë të kundërligjshme”, theksoi ai.

Po ashtu Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të reagojë dhe të ndërmarrë hapa konkretë që Serbia ta lirojë Hasan Dakajn.

MPJD-ja ka thënë se ka aktivizuar të gjithë mekanizmat institucionalë dhe se ka njoftuar Zyrën e Bashkimit Evropian në Serbi, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Britanisë së Madhe në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore