Lajme

Një muaj nga rregullorja e BQK-së për ndalimin e dinarit – krejt çka ndodhi


Foto: Albanian Post.

1 marsi shënon një muaj që nga hyrja në fuqi e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për ndalimin e dinarit në Kosovë.

Kur vendimi hyri në fuqi pati reagime të shumta nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët akuzuan Qeverinë e Kosovës se nëpërmjet “lëvizjeve të njëanshme” është duke nxitur “tensione të panevojshme” në pjesën veriore të vendit të banuar me serbë etnikë.

Ndërsa kërkoi shtyrjen e zbatimit të rregullores së BQK-së nën arsyetimin se mund të ketë ndikim negativ te komuniteti serb në Kosovë.

Pas gjithë këtyre kritikave BQK-ja mori vendim se rregullorja do të zbatohet përmes një tranzicioni të lehtësuar, jo më të gjatë se tre muaj.

Më pas hapi një linjë telefonike pa pagesë për serbët për t’u informuar lidhur me rregulloren e re të saj ku ndalohet përdorimi i dinarit për kryerjen e pagesave.

Përplasja në OKB mes Kurtit dhe Vuçiç-it

Fillimisht më 9 shkurt, vendimi i BQK-së dërgoi në përplasje sërish mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Kurti, gjatë fjalimit të tij në seancën e jashtëzakonshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kishte potencuar se Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës nuk ka për qëllim dëmtimin e asnjë komuniteti që jeton në Kosovë, por ndalimin e ilegalitetit.

“Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës nuk e dëmton asnjë komunitet që jeton në Kosovë”.

Sipas tij Beogradi nuk mund të lejohet të financojë “pafund kriminelët e vetë dhe terroristët e vetë në Kosovë”.

“Rregullorja nuk bën asgjë, as nuk e ndalon e as nuk e pengon Qeverinë e Serbisë që të ofrojë ndihmë financiare për serbët e Kosovës. Gjithçka tjetër është propagandë e rrejshme dhe nxitje e tensioneve”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Rregullorja, sipas Kurtit, sjell ligjshmëri të importit të parave në Kosovë në përputhje me kushtetutën dhe politikën monetare të BE-së.

“Beogradi ka thirrur alarm jo për shkak të këmbimit të dinarit në euro, por për shkak se po ndalohen thasë me dinarë në kufij dhe ata ankohen jo për shkak të brengës për qytetarët serbë të Kosovës, por sepse ato tubacione të parave në Veri të Kosovës po ndalen”.

“Ne nuk do të hakmerremi. Dua drejtësi dhe drejtësi është drejtësi duke mos qenë hakmarrje. Në mënyrë që të kemi paqe, raporte normale, ata duhet të ndalen së fantazuari se ne po kërkojmë hakmarrje. Unë si kryeministër iu garantoj se nuk po kërkojmë hakmarrje”, tha Kurti.

Pas këtij fjalimi, Vuçiç u dëgjua duke kërkuar fjalën dhe duke thënë se “do të ketë drejtësi për njerëzit tanë”.

Por kryesuesja e mbledhjes, nuk ia dha fjalën liderit serb e shpalli të mbyllur seancën.

Takimi “ndryshe” në Bruksel

Ky vendim për herë të parë dërgoi edhe në një një takim mes dy niveleve krejtësisht të ndryshme mes Kosovës dhe Serbisë, të enjten e 27 shkurtit në Bruksel.

Takimi u zhvillua mes guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismajli dhe drejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.

Takimi në Bruksel. 27 shkurt 2024.

Fillimisht në takime të ndara e pastaj në takim trilateral nën ndërmjetësimin e Emisarit Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, u kërkua një zgjidhje dhe shqyrtim për çështjen e ndalimit të dinarit në Kosovë – i cili po përdorej deri tani për pagesën e shërbimeve të ndryshme në Veri të Kosovës.

Por, sërish diskutimet mes palëve s’dërguan në rezultat.

Çka u tha pas takimit në Bruksel?

I pari që u deklarua pas takimit të mbajtur në Bruksel ishte shefi i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, njëherësh kryenegociator i palës serbe në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, Petar Petkoviç, i cili insistoi që diskutimet për këtë çështje të bëhen në nivel politik, derisa akuzoi palën kosovare për dëbim të serbëve nga Kosova.

Në një prononcim për gazetarë pas takimeve që u zhvilluan të martën e 27 shkurtit nën ndërmjetësimin e Emisarit Special të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, kryenegociatori serb e cilësoi ndalimin e dinarit për transaksione me para të gatshme “vendim politik” të Kosovës, qëllimi i së cilës është “dëbimi i serbëve” nga territori kosovar.

Pas Petkoviç-it u deklarua edhe guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili i cili tha se gjatë takimit janë diskutuar modalitetet teknike se si mundet të vazhdojë financimi nga Serbia, përmes kanaleve ligjore dhe transparente në llogari bankare të përfituesve në euro, bazuar në propozim e BQK-së dërguar te Banka Popullore e Serbisë, dhe asgjë tjetër.

“Nuk ka asgjë tjetër dhe as nuk kemi pranuar diskutime tjera”, ka thënë Ismajli.

Ai ka potencuar se rregullorja e BQK-së është në fuqi dhe e njëjta nuk do të ndryshojë.

Takimi në Bruksel. 27 shkurt 2024.

Ndërsa, emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, nëpërmjet një postimi në platformën “X” pas takimeve të së martës në Bruksel të Belgjikës për dinarin, tha se “shumë pyetje mbeten pa përgjigje” dhe sëkëndejmi, nevojiten takime shtesë për këtë çështje në të ardhmen.

Opozita kërkon që çështja e dinarit të mos diskutohet në Bruksel

Më 1 mars, opozita ka kërkuar që çështje e dinarit të mos diskutohet më në Bruksel.

Shefi i Grupit Parlamentar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se çështja e dinarit serb, pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për ta ndaluar këtë valutë për pagesa, nuk duhet të diskutohet në Bruksel, pra në dialogun me Serbinë që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Këto komente, Tahiri i bëri në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë së kuvendit.

“Dinari nuk duhet të diskutohet në Bruksel, në asnjë moment. Kjo është çështje e brendshme, duhet t’i jepet një zgjidhje në Kosovë me partnerët tonë ndërkombëtarë dhe me argumentimet që i ka qeveria”, deklaroi Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri.

I të njëjtit mendim u shpreh edhe shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri.

Një kërkesë e tillë, sipas shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Aberard Tahiri, është dëmi më i madh që mund t’i bëhet Kosovës.

“Çështja e tillë të ngritët në nivel politik të diskutimit, është dërgimi i ujit në mullinj të Serbisë”, ka thënë Tahiri.

Çështja e dinarit, në vlerësimin e Tahirit, është temë e brendshme e cila do të duhej të rregullohej në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kërkesa e tyre ka qenë e qartë të koordinohen me ta dhe në anën tjetër qytetarëve serbë të mos u paraqitet vështirësi për një periudhë tranzitore dhe kjo çështje të rregullohet me Kushtetutë e me ligje”, ka potencuar Tahiri.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndonëse nëpër organet e partisë dhe para qytetarëve e ka paraqitur si “sukses” të qeverisë së tij ndalimin e dinarit serb për pagesa në territorin e Kosovës, ka thënë – çuditërisht – se nuk ka qenë fare në dijeni të këtij vendimi që është marrë nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

“Më 27 dhjetor të vitit të kaluar Banka Qendrore e Kosovës ka marrë vendim për këtë rregullore të re, për t’i luftuar aktivitetet e paligjshme dhe bënë mirë. Nuk kisha ide se do ta sjellin këtë vendim, apo se do ta hartojnë këtë rregullore (për ndalimin e dinarit)”, deklaroi ai.

Më 1 shkurt, hyri në fuqi rregullorja e re e Bankёs Qendrore tё Kosovёs (BQK), nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet qarkullimi i dinarit serb, duke specifikuar se valuta e vetme që lejohet për pagesa/transaksione është euro.

Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.

Në katër komunat në pjesën veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çmimet nëpër dyqane janë shënuar me dinarë. Viteve të fundit është praktikuar edhe importimi i dinarëve nga Serbia, por nga 1 shkurti i këtij viti, kjo praktikë është ndalur, duke nxitur reagimin e autoriteteve serbe dhe bashkësisë së organizuar ndërkombëtare.

Takimi “ndryshe” në Bruksel shpërfaqi politikën “amatore” të Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore