Lajme

Një kukull në pragun ekzistencial të njerëzimit


Ndërsa e ardhmja e afërt parasheh njerëzimin të lidhur ngushtësisht me inteligjencën artificiale, vetmia e tij ka zhbërë një inteligjencë të tërë kolektive emocionale.

Kësaj radhe nuk u desh as novelisti rus Fyodor Dostoevsky, i cili mori përsipër të rrëfente gjithë dilemat njerëzore të shekullit të XIX-të me “Shënimet e tij të Nëndheshme”.

Pa përmendur pikëpamjet pothuaj ekzistenciale të autorit irlandez James Joyce një gjysmë shekulli më pas, teksa përshkruante personazhe që të gjithë në dukje janë të gjallë, por nga brenda, janë shumë të pajetë.

Jo, mjaftoi statusi i një kukulle, një personazh televiziv i kuq dhe leshator i quajtur Elmo, i cili është vërejtur nga më pak se 200 milionë persona.

Në median sociale “X”, Elmo u bëri një pyetje ndjekësve të tij, duke u nisur veçse nga dëshira e mirë.

“Elmo thjesht po bën një kontroll! Si po ia kaloni të gjithë?”, publikoi faqja e personazhit në “X”.

Një varg përgjigjesh – dhjetëra mijëra prej tyre – ishin tërësisht të sinqerta dhe papritur ky status reflektoi me çiltërsi cinike, frikën ekzistenciale që po ndiejnë njerëzit.

“Elmo, jam në gjendjen time më të mjerë. Faleminderit që pyet”, u përgjigj një person.

“Elmo jam në depresion dhe trokë”, shkruante një tjetër.

“Elmo po vuaj nga tmerri ekzistencial tani”, nënvizonte dikush mes rreshtash.

“Elmo mbathja shpejt, nuk ke siguri këtu”, paralajmëronte një person.

Shumë shpejt, markat dhe personazhet e famshëm po i përgjigjeshin postimit.

“Ka mbaruar qumështi, bëji llogaritë”, u përgjigj profili zyrtar i Oreo-s.

Jo të gjitha përgjigjet ishin sarkastike, të zymta apo të tmerrshme.

“Ishte një ditë e mrekullueshme në Florida, Elmo”, u përgjigj një fotograf, duke shpërndarë një foto të breshkave që qëndronin në diell.

Disa orë pas komenteve të shumta, llogaria e Elmo-s shkroi në Twitter: “Uau! Elmo është i lumtur që pyeti! Elmo mësoi se është e rëndësishme të pyesësh një mik se si po ia dalin. Elmo do të kontrollojë përsëri së shpejti, miq! Elmo ju do”.

Dhe ai postim në Twitter tërhoqi vëmendjen e presidentit amerikan Joe Biden, i cili tha se e di se “sa të vështira janë disa ditë për të tejkaluar vranësirat për të shkuar në ditët më me diell”.

“Shoku ynë Elmo ka të drejtë: Ne duhet të jemi pranë njëri-tjetrit, t’i ofrojmë ndihmën tonë një fqinji në nevojë dhe mbi të gjitha të kërkojmë ndihmë kur kemi nevojë. Edhe pse është e vështirë, nuk je kurrë vetëm”, shkruhej në postimin e shefit të Shtëpisë së Bardhë.

Ndërsa shumë nga përgjigjet për frikën ekzistenciale ishin të paqarta ose sarkastike – të zakonshme në humorin virtual dhe meme’t – bombardimi me komente të zymta zbuloi ankthin që shumë njerëz ndajnë në internet.

Transmetuesi amerikan “CBS News” shkruan se në vitin 2020, 29 për qind e të rriturve në SHBA raportuan një diagnozë të depresionit në një moment të jetës së tyre.

Kjo është gati 10 pikë përqindjeje më e lartë se në vitin 2015, sipas Gallup.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Mendor (NIMH), vëren se në vitin 2021, rreth 20.1 milionë të rritur në SHBA – rreth 8.3 për qind e të gjithë të rriturve – patën një episod depresiv vitin e kaluar.

Rreth pesë milionë fëmijë të moshës 12 deri në 17 vjeç në SHBA kishin të paktën një episod të madh depresiv. Këto episode të mëdha depresive zgjasin rreth dy javë dhe mund të rezultojnë në dëmtime të rënda që kufizojnë aftësinë e dikujt për të kryer aktivitete, sipas NIMH-së.

Ankthi shpesh pason depresionin dhe rreth 6.8 milionë të rritur – 3.1 për qind e popullsisë së SHBA-ve – kanë çrregullim të përgjithësuar ankthi.

Vetëm 43.2 për qind po marrin trajtim, sipas Shoqatës Amerikane të Ankthit dhe Depresionit.

Ankthi dhe depresioni mund të trajtohen të dyja me psikoterapi dhe medikamente.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore