Shqipëria

Një Hartë e re Gjyqësore mes kundërshtive


Viti që u la pas u mbyll me një propozim të rëndësishëm sa i përket Gjyqësorit dhe Reformës në Drejtësi.

Ministria e Drejtësisë në Shqipëri, së bashku me Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ), prezantuan Hartën e Re Gjyqësore, e cila sipas tyre ka disa qëllime rrënjësore.

Ky projekt parashikon shkrirjen e 10 Gjykatave, duke e çuar kështu numrin total të atyre të Shkallës së Parë nga 22 në 12.

Kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami, teksa prezantoi propozimin, u shpreh se koncepti është që të ketë më pak gjykata dhe më shumë cilësi.

Por ky koncept, për kreun e Dhomës së Avokatisë Korçë, Arben Lena, dhe jo vetëm, nuk do të sjellë përfitime reale për qytetarin e thjeshtë.

Për Albanian Post, ai tregon se, shkurtimi i 19-të Gjykatave në rang vendi, largon qytetarin nga Gjykata.

“Ky proces detyron qytetarin nga Shkodra, Tropoja, Kukësi, Korça, Pogradeci, Berati dhe shumë qytete të tjera të shkojnë nga skajet më të largëta të vendit në mes të Tiranës”, shprehet Lena.

Kështu, sipas tij, qytetarët mund të detyrohen që, përpos shpenzimeve të udhëtimit, të qëndrojnë edhe në Tiranë, nëse kanë një seancë gjyqësore.

Kreu i Dhomës së Avokatisë Korçë, Arben Lena

Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, deklaroi se kjo hartë do të afrojë Gjykatat me njeriun, do të rrisë cilësinë dhe do të përdoren më së miri edhe burimet publike.

“Edhe në nivel Apeli, nisur nga lëvizjet demografike, 90% e qytetarëve do të kenë askes në Apelin e Tiranës”, u shpreh ai.

Në atë mbledhje, ky model u cilësua si përafrim me ato perëndimoret.

Për avokat Lenën, ky krahasim është tejet i pavend.

“Krahasimi i vendit tonë me shtete si Suedia, Danimarka, Norvegjia apo Anglia, është tërësisht i pavend, pasi në këto vende, përveçse është ulur numri i Gjykatave, është ulur edhe numri i burgjeve”, thotë ai.

Më tej, ai shprehet se këto vende, kanë një superinfrastrukturë rrugore dhe hekurudhore që bashkon në një kohë shumë të shpejtë skajet më të largëta të tyre.

Por kjo nuk mund të thuhet për Shqipërinë, “ku një udhëtim në periudhën e verës në Tiranë merr të paktën 3 orë ose katër”.

Ulja e kostos

Një pikë tjetër që Dhoma e Avokatisë nuk bie dakord, është edhe ulja e kostos.

Në deklaratë shkruhet se, “Harta e re Gjyqësore do t’i shërbejë optimizmit të burimeve njerëzore dhe financiare, rritjes së eficiencës së gjykatave, përmirësimit të shpejtësisë së gjykimit dhe aksesit në drejtësi të qytetarëve”.

Por, avokati shprehet se ulja e kostove, të pretenduara nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe KLGJ-së, është përsëri një arsyetim i padrejtë.

“Kjo pasi mund të ulë kostot nga njëra anë, por nga ana tjetër detyron transportimin e të dënuarve, të arrestuarve, personave në arrest në shtëpi, personave që Gjykata, duke rritur shpenzimet dhe kostot në buxhetin e shtetit”, thotë ai për AP-në.

 

Lena më tej argumenton se efikasiteti dhe eficienca është përsëri pa asnjë pasojë.

Kjo pasi i njëjti gjyqtar, që mund të gjykojë në një Gjykatë, të njëjtin gjykim mund ta bëjë edhe te një tjetër.

“Një gjyqtar në Tiranë, nuk është super-gjyqtar krahasuar me faktin nëse ai gjykon në një rreth tjetër”, thotë ai.

Ky qëndrim është mbajtur edhe nga vetë Dhoma e Avokatisë, e cila ka argumentuar se arsyet që MD-ja dhe KLGJ-ja pretendojnë se, justifikojnë Hartën e re Gjyqësore, janë të pabazuara në fakte dhe studime shkencore.

Kështu është propozuar që të funksionojnë katër Gjykata Apeli: një në Tiranë, një në veriun e Shqipërisë (Lezhë ose Shkodër), një në jugun e Shqipërisë (Fier ose Vlorë) dhe një në juglindje të Shqipërisë (Korçë).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore