Kosova

Një grup avokatësh ka dërguar në Kushtetuese rregulloren e dinarit të BQK-së


Ilustrim

Disa avokatë serbë nga Kosova, të martën, kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, rregullore kjo e cila ka ndaluar përdorimin e valutës shtetërore serbe, dinarin për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës.

Kërkesa e avokatëve serb, siç raporton mediumi serb me seli në Kosovë, Kossev, është që rregullorja të pezullohet deri në momentin kur Kushtetuesja të konfirmojë ose të hedhë poshtë kushtetutshmërinë e kësaj rregulloreje.

Avokatët serb ndër të tjera, siç raporton Kossev, kanë kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vlerësojë edhe efektin e dëmit që ka shkaktuar rregullorja te situata socio-ekonomike e qytetarëve, gjegjësisht për mundësinë e shkeljes së të drejtave të njeriut.

Kërkesa e përpiluar nga Vasilije Arsiç, Dragutin Neneziç dhe Dushan Çeliç, potencon se rregullorja e BQK-së nuk është në përputhje me “nenet 7, 11, 22, 23, 24, 25, 46, 49, 51, 57, 58 dhe 59 të Kushtetutës së Kosovës, si dhe me nenin 16 të Kushtetutës së Kosovës”.

Në kërkesë thuhet gjithashtu se neni 35 i Rregullores së BQK-së “cenon një sërë të drejtash të njeriut të garantuara me Kushtetutë, si dhe konventat ndërkombëtare që janë drejtpërdrejt të zbatueshme në bazë të nenit 22 të Kushtetutës, ndër të cilat janë e “drejta e pronës, e punës dhe ushtrimit të profesionit mbrojtjes shëndetësore dhe sociale”.

“Duke qenë se qytetarët e Kosovës të cilët i ushtrojnë këto të drejta duke marrë të ardhura (paga, pensione dhe të drejta të tjera) ose duke i mbajtur kursimet e tyre në dinarë, ushtrimi i këtyre të drejtave u mohohet me zbatimin e nenit 35 të Rregullores në atë mënyrë që dinarët konfiskohen ose pamundësohet hyrja e tyre në territorin e Kosovës. Po ashtu, Banka Qendrore e Kosovës ende nuk i ka zbatuar masat e duhura që do të mundësonin pranimin e të hyrave apo kursimeve në euro”, thuhet në kërkesë.

Parashtruesi e kërkesës gjithashtu kanë vlerësuar se zbatimi i këtij neni të rregullores së BQK-së është diskriminues, pasi që prek kryesisht komunitetin serb në Kosovë.

“Edhe pse vetë rregullorja nuk përmban dispozita në mënyrë eksplicite diskriminuese, fakti që zbatimi i saj është diskriminues tregon për diskriminim indirekt, i cili si i tillë është në kundërshtim me nenet 7, 24, 57, 58 dhe 59 të Kushtetutës, si dhe me konventat ndërkombëtare”.

Një vendim i Bankës Qendrore të Kosovës së fundmi ka shkaktuar fërkimin politik të radhës në mes të Qeverisë së Kosovës – e cila në emër të ligjit po tenton ta shtrijë sovranitetin në Veri të Kosovës – dhe komunitetit ndërkombëtar – i cili s’po do “surpriza” në terren, por zbatim të marrëveshjeve (Asociacionin).

Vendimi i BQK-së që në Kosovë të përdoret vetëm një valutë, euro, aktualisht ka ngecur në mes thirrjes së komunitetit ndërkombëtar që i njëjti të shtyhet deri në një afat më optimal, pasi shteti serb tha se vendimi i Kosovës afekton serbët e Kosovës, meqë ata i pranojnë të gjitha ndihmat nga Serbia në dinarë dhe në anën tjetër arsyetimin e autoriteteve kosovare se vendimi një fjalë është vetëm zbatim i një dispozite të Kushtetutës së Kosovës dhe asgjë tjetër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore