Lajme

Një e vdekur dhe gjashtë të lënduar nga aksidenti në Podujevë


Ilustrim.

Të dielën e 21 majit, një aksident i rëndë trafiku kishte ndodhur në fshatin Gërdovc të Podujevës, me çrast kishin mbetur të lënduar gjashtë persona dhe kishte mbetur e vdekur një grua.

Lajmi është bërë i ditur përmes raportit të Policisë së Kosovës.

“I dyshuari mashkull kosovar derisa ishte duke drejtuar veturën dyshohet se nga pakujdesia ka shkaktuar aksidentin duke goditur veturën tjetër të cilën ishte duke e drejtuar viktima mashkull kosovar”, thuhet në komunikatë.

Teksa është shtuar se trupi i pajetë në bashkëpunim me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion.

“Si pasojë, lëndime kanë pësuar shtatë pasagjerë kosovarë të cilët ishin dërguar për tretman mjekësor. Me datë 21.05.2023 viktima femër kosovare e cila ishte duke u trajtuar në QKUK, dyshohet si pasojë e lëndimeve, ka ndërruar jetë. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti në proces hetimor”.

Përveç këtij rasti, në raport është thënë se njëri nga rastet që ishte raportuar si “zhdukje”, viktima bashkë me ankuesin është paraqitur në stacion policor për raportim të rastit “dhunim”.

Në raportin 24 orësh të PK-së, është thënë se pas intervistimit, viktima është dërguar për ekzaminim mjekësor.

“Ankuesi mashkull ka raportuar se viktima femër ishte larguar nga shtëpia dhe nuk dihej vendndodhja e saj. Pasi ishte raportuar si e zhdukur, viktima femër së bashku nën shoqërinë e ankuesit të lartcekur është paraqitur në stacion policor për raportim të rastit ‘dhunim’”, thuhet në raport.

Një person i dyshuar për rastin është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore