Lajme

Një e katërta e shkollave mbyllen në Burkina Faso teksa luftimet përshkallëzohen


Në Burkina Faso, një e katërta e shkollave janë mbyllur pas një rritje të mprehtë të luftimeve midis militantëve dhe qeverisë.

Të paktën kështu rezulton sipas një raporti të ri që paralajmëron për një krizë arsimore të afërt në rajon.

Gjatë vitit të kaluar, numri i shkollave të mbyllura në vend u rrit me pothuajse një të tretën në 6 mijë e 149, duke prekur afro 1 milion nxënës.

Burkina Faso ka vuajtur vite të tëra dhune, e cila është rritur që nga një grusht shteti vitin e kaluar.

Qeveria e re ushtarake nisi një ofensivë kundër grupeve militante që kanë parë akuza për shkelje të të drejtave të njeriut nga të gjitha anët.

“Të kesh një numër kaq të madh fëmijësh jashtë shkollës për shkak të pasigurisë rrezikon të ardhmen e gjeneratës së ardhshme të Burkina Fasos”, ka thënë John Agbor, drejtor i Unicef-it në vend.

Sipas tij, fëmijët jashtë shkollës kanë më shumë gjasa të detyrohen të punojnë, të rekrutohen në grupe të armatosura, ose të jenë viktima të abuzimit dhe shfrytëzimit seksual, dhunës me bazë gjinore ose martesës së hershme.

Raporti, i lëshuar nga Këshilli Norvegjez për Refugjatët (NRC) dhe agjencitë e OKB-së, ka nxjerrë se Burkina Faso tani përbën pothuajse gjysmën e 13 mijë e 200 shkollave të mbyllura për shkak të pasigurisë në Afrikën Qendrore dhe Perëndimore gjatë katër viteve të fundit.

Anika Krstiç, drejtoresha e QKR-së për Burkina Fason, ka thënë se kushtet në shkollat që kishin mbetur të hapura, ishin të këqija dhe pak mësues kishin mbetur.

“Ata që kanë qëndruar thonë se është një vendim shumë personal. Ata mendojnë se është detyrë e tyre të vazhdojnë, por kjo ka një çmim të rëndë. Të shtënat me armë ndonjëherë ndërpresin orët e mësimit ose luajnë”, ka shtuar Krstiç.

Raporti, i cili shqyrtoi të dhënat për tetë vende, u bëri thirrje qeverive dhe komunitetit ndërkombëtar që të përqendrohen në sigurimin e shkollave dhe duke i dhënë përparësi negociatave për të siguruar që ndërtesat e shkollave të pushtuara gjatë luftimeve të lirohen shpejt.

Sipas tij, vetëm 3.9 për qind e kërkesave për financimin e shkollimit në rajon ishin përmbushur nga donatorët.

Po ashtu raporti ka zbuluar se teksa shumë shkolla duhej të braktiseshin për shkak të luftimeve aty pranë, disa ishin në shënjestër.

Në Nigeri, 52 shkolla janë sulmuar nga militantët që nga janari; në Republikën Demokratike të Kongos, e cila ka parë një rritje të mprehtë të dhunës në pjesën lindore të vendit, numri është 31.

“Mbrojtja e shkollave nga kërcënimet dhe dhuna është një hap kritik për të thyer ciklin e krizës dhe për të zvogëluar gjasat e konflikteve të ardhshme”, sipas Felicité Tchibindat, drejtoresha rajonale e Unicef-it për Afrikën Perëndimore dhe Qendrore.

“Shkollat duhet të jenë vende të sigurta për fëmijët”, ka theksuar ajo.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore