Lajme

Një 20 vjeçar theret me thikë nga një 17 vjeçar në Ferizaj


Policia e Kosovës.

Një 17 vjeçar ka therur me thikë një 20 vjeçar në Ferizaj, të premten.

Lajmi është bërë i ditur nga Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media ku është thënë se i lënduari është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj e më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Patrullat e policisë menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, të cilët kanë mësuar se një person me një armë të ftohtë ( thikë) ka lënduar rëndë një person tjetër mashkull, të moshës 20 vjeçar dhe është larguar në drejtim të panjohur”.


Tashmë i dyshuari për këtë vepër është arrestuar nga Policia e Kosovës.

“Ekipe të policisë, policët e rendit, hetuesit e stacionit, hetuesit rajonal të mbështetura edhe nga njësi të tjera kanë identifikuar të dyshuarin E.C ( M/K) i moshës 17 vjeçar dhe menjëherë kanë rrethuar zonën përreth dhe pas një pune intensive në terren, në orën 19:30 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje dhe e kanë shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj për procedura tjera hetimore”.

Nga policia është thënë se në vendin e ngjarjes po vazhdojnë të qëndrojnë hetuesit dhe krim teknikët rajonal, të cilët janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes.

Ndërsa për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori kujdestar i cili ka vendosur për ndalimin e të dyshuarit për 24 orë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore