Kosova

Nisma e Qeverisë për shkarkimin e kryetarëve në Veri, Kica: Është jokushtetuese


Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica.

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica, ka komentuar nismën e Qeverisë së Kosovës që përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal ka marrë vendim që të nisen procedurat për shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarë në komunat Veriore, madje ajo ka shpjeguar në detaje format se si mund të shkohet në zgjedhje të reja në ato komuna.

Kica shpjegon se çështja e largimit të kryetarëve të komunave është shumë e qartë, duke treguar dy forma se si mund të ndodhë një gjë e tillë.

“Japin dorëheqje me ç’rast hapet menjëherë mundësia e vazhdimit me zgjedhje të reja (që ishte rekomandim i LDK qe tanimë disa muaj)”, tregoi ajo variantin e parë përmes një shkrimi në Facebook.

Kica shpjegoi edhe formën tjetër ku tha se kjo mund të bëhet “përmes Nenit 72 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, që përcakton mundësinë e iniciativës qytetare për largimin e kryetarëve aktual”.

“Kjo dispozitë, parasheh që kërkesa të nënshkruhet nga 20 për qind e votuesve të regjistruar. Nëse kërkesa e tillë paraqitet, shkohet me zgjedhje ku votohet Për apo Kundër largimit të kryetarit aktual. Nëse shumica (pra së paku 50%+1) e votuesve votojnë Për largim, atëherë shkohet në zgjedhje të reja”, elaburoi ajo.

Rrjedhimisht, pohoi deputetja e LDK-së, “në mungesë të dorëheqjeve, mundësia e vetme mbetet nisma/peticioni sipas Nenit 72 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale”.

“Sidoqoftë, kur flasim për Nenin 72, që mbetet Neni i vetëm i aplikueshëm në këtë kuptim (në mungesë të çfarëdo ligji tjetër për këto çështje), mundësitë janë plotësisht të kufizuara”.

Tutje, Kica bëri me dije se neni 72, nuk jep autorizime shtesë për KQZ, “e aq më pak për Qeverinë e Republikës së Kosovës, që të zgjeroj kompetencat e saj në përcaktimin e çfarëdo forme tjetër apo edhe në sqarimin e detajeve specifike me rastin e aplikimit të Nenit 72”.

“Kjo, për arsye se i gjithë procesi i nismës së tillë ka të bëj me të drejtën dhe formën e votimit, dhe do të rrezikonte ndërhyrje në votën e lirë”.

Prandaj, potencon ajo, “pyetja eventuale apo forma e parashtrimit të pyetjes së nismës (apo raste tjera referendumit) nuk guxon të jetë kurrsesi çështje që rregullohet me udhëzim administrativ”.

“Ekzekutivi nuk ka dhe nuk guxon të ketë asnjë autorizim për implementimin e dispozitave zgjedhore të ligjeve pozitive (të aplikueshme) sepse ato janë përcaktues të votës së lirë. Për më tepër, nuk mund të bëhen as rregullime që mund prodhojnë efekte retroaktive që prekin mandatet ekzistuese”.

Po ashtu, deputetja shpjegon se asnjë udhëzim administrativ nuk mund të përcaktoj pyetjen e peticionit, “sepse Neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale është plotësisht i qartë në atë që përcakton se qytetarët duhet të deklarohen PËR (e rrjedhimisht si alternativë KUNDËR) largimit të kryetarit”.

“Këtu nuk ka asnjë hapësirë për diskutime lidhur me pyetjen. Çdo diskutim i tillë tejkalon autorizimet që rrjedhin nga Neni 72 dhe janë të palejueshme, sepse rregulli bazik i çdo udhëzimi administrativ është mos-tejkalimi i ligjit (me që udhëzimi është akt NËNligjor)”.

Prandaj, thotë ajo, në rastin konkret, një udhëzim sikurse po flitet “do të ishte jokushtetues dhe joligjor”, dhe për ta argumentuar këtë ajo dha dy arsye.

“E para, sepse nuk ekziston asnjë autorizim i tillë për Qeverinë apo KQZ në asnjë ligj që rregullon zgjedhjet; dhe e dyta, Qeveria (ekzekutivi) nuk mund ta normoj materien zgjedhore sepse këtë e bën Kuvendi përmes Kushtetutës dhe/ose ligjeve, dhe as të përcaktoj pyetjet e nismës që lidhet drejtpërdrejt me shprehjen e vullnetit të popullit”.

“Të jemi të qartë, pra, që në parim, çdo deklarim plebishitar mbi një çështje nënkupton formë të referendumit, por në rastin konkret, mundësia e heqjes së kryetarëve është paraparë me peticion qytetarë”.

Sipas saj, në secilin rast nëse Qeveria apo KQZ dalin me një udhëzim të tillë, “gjasat janë shumë të mëdha që ai do të jetë jokushtetues”.

“Për fund – fakti që në njërën anë institucionet e Republikës së Kosovës po shprehen të gatshme për zgjedhje të reja, por në anën tjetër Qeveria nuk shpreh gatishmëri për diskutime me kryetarët e komunave që vijnë nga LVV që të sqarojnë efektin politik të domosdoshëm që vjen me dorëheqje, tregon që këtu po kërkohen një status quo/blerje kohe. Se pse duan të blejnë kohë, këtë mund ta sqarojnë vetëm akterët e përfshirë”.

Përkundër kësaj, deputetja Kica vlerëson se “paradigma e domosdoshmërisë së peticionit kinse në emër të mbrojtjes së sundimit të ligjit e jo dorëheqjeve, teksa synohet një udhëzim administrative që pikërisht rrezikon sundimin e ligjit përmes shkeljeve kushtetuese, është jo vetëm standard i dyfishtë e jodemokratik, por me potencial të rrezikshëm për vendin dhe si i tillë nuk duhet të lejohet”.

Këtë javë, Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila udhëhiqet nga Elbert Krasniqi, ka marrë vendim që të nisen procedurat për largimin dhe shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarë në komunat Veriore.

Sipas vendimit të MAPL-it, është hartuar një Grup Punues që do të hartojë një Udhëzim Administrativ për caktimin e procedurave që përmes një iniciative do të largohen kryetarët e katër komunave në Veri të Kosovës, të zgjedhur më 23 prill.

Por, Albanian Post kuptoi se kjo procedurë u ndoq pasi nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) u refuzua krijimi i një procedure të tillë meqë është konstatuar se nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore.

Nga KQZ i kanë thënë qeverisë se duhet ligj i veçantë për referendumin që të bëhet e munduar ndjekja e kësaj procedure.

Por, përkundër se pa bazë ligjore, Qeveria ka vazhduar përmes ministrisë duke marrë vendim që të krijojë Grupin Punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave që përmes një iniciative do të largohen kryetarët.

Sipas vendimit të MAPL-it, ky Grup Punues është përgjegjës për caktimin e procedurave dhe afateve për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve.

Vendimi i MAPL-it

Afati i Grupit Punues për ta hartuar Udhëzimin Administrativ dhe për ta proceduar tek zyra e Sekretarit të përgjithshëm të MAPL-së është deri më datën 1 shtator.

KQZ e refuzoi për mungesë të bazës ligjore, Qeveria përmes ministrisë merr vendim për largimin e kryetarëve nga Veriu

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore