Shqipëria

Nisja e projektit të Skavicës – ditë historike për marrëdhënien SHBA-Shqipëri


Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, ka marrë pjesë në nisjen e projektit të Skavicës duke e konsideruar një ditë historike për marrëdhëniet midis SHBA-ve dhe Shqipërisë.

“Sot është një ditë historike në këtë marrëdhënie me fillimin e projektit Hidroenergjetik Skavica midis Qeverisë së Shqipërisë dhe një prej kompanive më të mëdha të infrastrukturës amerikane në Bechtel. Skavica ka qenë një ëndërr në vend për dekada të tëra dhe sot është një nga pikat më të rëndësishme për ta parë atë më në fund të bëhet realitet”, deklaroi fillimisht ambasadorja në fjalën e saj.

Ambasadorja amerikane Kim, gjendej në praninë e ministres shqiptare të Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Në deklaratën e zbardhur në faqen zyrtare të ambasadës amerikane, Kim e konsideron një moment vërtet të veçantë për Shqipërinë, për lidhjet e biznesit me SHBA-të dhe për të ardhmen e energjisë në Evropë.

“Gati 12 muaj më parë, sot, më 3 tetor 2020, nënsekretari i atëhershëm për rritjen ekonomike, energjinë dhe mjedisin Keith Krach vizitoi Shqipërinë dhe nënshkroi një Memorandum të Bashkëpunimit Ekonomik midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”, nënvizon ambasadorja amerikane në deklaratë.

Sipas diplomates, kjo ishte një nga tre prioritetet e saj si ambasadore e SHBA-ve në Shqipëri.

“Projekti i përfunduar do të ketë një ndikim të thellë në peizazhin e energjisë në Shqipëri, një vend që tashmë mburret me një nga përzierjet më të gjelbra të prodhimit të energjisë elektrike në botë”, shton Yuri Kim.

Duke folur për projektin, ambasadorja thekson se realizimi i saj, jo vetëm që do të krijojë më shumë energji të gjelbër, por gjithashtu do të ndihmojë që Shqipëria të jetë “një hap më afër të qenit një eksportues i qëndrueshëm i energjisë neto”.

Kjo, sipas Kim, mund të ndihmojë në zgjidhjen e ndryshimeve klimatike dhe shqetësimet e shëndetit publik, jo vetëm brenda Shqipërisë, por brenda një rajoni që është shumë i varur nga fabrikat ndotëse të qymyrit.

Skavica – ëndërr, jo vepër

Për ministren Balluku projekti i Skavicës nuk është thjesht një vepër, por realizimi i një ëndrre.

“Skavica është një ëndërr që po e shkelim sot dhe po bëhet realitet, pasi e kemi dëgjuar të flitet për të që në vitet 80-të”, tha Balluku gjatë vizitës në luginën ku do të ndërtohet Hidrocentrali i Skavicës.

Duke iu kthyer projektit, Balluku e ka konsideruar “Skavicën” – një ëndërr të të gjithë shqiptarëve.

Me ndërtimin e Skavicës, theksoi Balluku, kërkohet edhe që të shkohet drejt përmbushjes së nevojave për sigurinë energjitike.

“Shqipëria, prej kohësh po përpiqet të plotësojë nevojat e saj energjitike”, u shpreh më tej Balluku.

Ky projekt është edhe një projekt me karakter social, garantoi ministrja, pasi zona do të hyjë në një epokë të re, nisur nga lehtësimi infrastrukturor që do të ketë rreth e qark Skavicës.

Nënshkrimi

Ministrja Balluku, e nënshkroi më 5 korrik kontratën për fazën e parë të projektit për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës.

Sipas ministres, kjo është një fazë 18-mujore dhe më pas hapet rruga për fazën e dytë, e cila fillon ndërtimin e HEC-it.

Faza e parë do të shërbejë për studimin gjeoteknik, rrugët paraprake të ndërtimit dhe përfundimin e vlerësimit social.

Ministrja theksoi se “Skavica” do të rrisë kapacitetet edhe për tre HEC-e të tjera.

Ajo shtoi se ky projektligj do t’u japë zgjidhje përmbytjeve në të gjithë zonën e Shkodrës.

Miratimi

Këshilli i Ministrave më 4 mars miratoi projektligjin, sipas të cilit kompanisë Bechtel i jepet autorizimi për të projektuar dhe ndërtuar hidrocentralin e parë të kaskadës së Drinit.

Ky projekt mori dritën jeshile vitin e kaluar, më 3 tetor, pas nënshkrimit të marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për financimin e projektit.

Sipas projektligjit, janë të përcaktuara afatet që i lihen në dispozicion kompanisë përkatëse për të sjellë një propozim mbi projektin.

Aty janë të përcaktuara fazat për negocim, si dhe për zbatimin e tij. Skavica është pjesë e projektit origjinal në kaskadën e Drinit dhe pritet të shërbejë si rregullues.

Kostot e vlerësuara, deri në fazën fillestare për këtë projekt, janë respektivisht 308 milionë euro për alternativën me digë të ulët dhe gati 510 milionë euro për alternativën me digë të lartë.

Skavica dhe etapat e saj

Hidrocentrali do të jetë i aksesueshëm si nga Rruga e Kombit, ashtu dhe nga Rruga e Arbrit.

Benefitet e këtij projekti do të prekin fusha të ndryshme, si: peshkimi, turizmi edhe punësimi.

Më herët, kryeministri Edi Rama u shpreh se kontributi i këtij projekti në vlerat ekonomike shqiptare do të jetë shumë i lartë.

Në maj të vitit 2020, kryeministri tregoi se ky hidrocentral do të ndërtohej me fondet e qeverisë shqiptare, por më pas vendimi ndryshoi.

Hidrocentrali i Skavicës është vepra energjetike më strategjike në vend dhe rezervuari ujor më i rëndësishëm i Shqipërisë me rreth 7 miliardë m3 ujë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore