Lajme

Nisja e Artemis 1 ringjall entuziazmin pas 50 vitesh harresë


Udhëtimi i fundit në Hënë kishte humbur në kujtesën e dhjetorit 1972, pesëdhjetë vjet më parë.

Eugene Cernan , komandanti i misionit Apollo 17, përpara se të hipte në Lem dhe të nisej për t’u kthyer në shtëpi, ndaloi të shikonte Tokën duke menduar se do të duheshin dekada.

Dhe ashtu ndodhi.

Tani që gara për Hënën ka rifilluar me ngritjen e raketës së parë Artemis 1, pse mund të jetë harruar qëllimi që kishte ngjallur entuziazëm dhe imagjinatë?

Duket se ka pasur arsye të ndryshme.

NASA, që në vitin 1969, i paraqiti Kongresit një plan eksplorimi për të ndjekur programin Apollo pasi të përfundonte.

Administratori i NASA-s, Thomas Paine dhe Wernher von Braun, ndërtuesi i raketës së madhe Saturn V, ilustruan etapat e reja para parlamentarëve.

Bëhej fjalë për një stacion hapësinor, një anije për të lejuar lidhje të lehta me një stacion orbital, një koloni në Hënë dhe udhëtimin në Mars.

Tani, misionet e fundit Apollo nuk ngjallën tërheqje më të madhe dhe interesi popullor u drejtua më shumë për problemet e Tokës sesa për fluturimet në hapësirë.

Megjithatë, programi ishte i varfëruar nga cilësitë e tij fillestare dhe buxhetet e reduktuara të NASA-s vonuan punën dhe datën e nisjes.

Edhe për shkak të ndërhyrjes financiare të Pentagonit, misioni i parë u shty dhjetë vjet më vonë, në vitin 1981.

Që atëherë, u preferua të zhvilloheshin aktivitete shkencore rreth Tokës dhe sigurimin e një laboratori të instaluar në gjirin e ngarkesave të anijes, në të cilin mund të punonin shkencëtarët.

Por Hëna mbeti e largët.

Ndërkohë u mendua për një stacion hapësinor dhe Presidenti amerikan Ronald  Reagan do ta niste projektin në vitin 1984, duke mobilizuar vendet mike për të reduktuar investimet e nevojshme.

Asokohe Shtëpia e Bardhë ishte më e interesuar për hapësirën ushtarake dhe Reagan gjithmonë e miratonte planin e “luftërave të yjeve” duke mobilizuar teknologjitë për të krijuar një mburojë hapësinore në mënyrë që të bllokonte agresionin sovjetik.

Projekti e detyroi Moskën të investonte në të njëjtin drejtim dhe ekonomia sovjetike u shemb me shpejtësi.

NASA po shikonte edhe një herë me më shumë interes eksplorimin e Marsit.

Por gjithçka mbeti në perspektivë.

U kuptua se po bëhej gjithnjë e më urgjente që Toka të përballej me të këqijat që shfaqte. Në vitet 1980, satelitët konfirmuan ekzistencën e një vrime në shtresën e ozonit mbi Antarktidë, një shenjë e qartë e agresionit nga aktiviteti njerëzor në mjedis me pasoja të mundshme serioze.

Si ngrohja progresive e planetit, ashtu edhe kërcënimi i ndryshimit të klimës, në të cilin njeriu luajti një rol vendimtar, u bënë gjithashtu të dukshme.

Po ashtu dizajni i stacionit hapësinor ishte i ngadalshëm dhe Bill Clinton mbërriti në Shtëpinë e Bardhë, në fillim të viteve 1990.

Ai e shpëtoi projektin e rëndë vetëm duke përfshirë Rusinë për të parandaluar që shkencëtarët të iknin në vende politikisht të paqëndrueshme pas rënies së BRSS-së.

Më herët, George Bush ishte përpjekur ta kthente fokusin e Amerikës në Hënë, por Kongresi as që e mori në konsideratë këtë ide.

Djali i tij u përpoq sërish më vonë në vitin 2004 për të rifilluar planin duke siguruar financimin e parë. Por mbërritja në Shtëpinë e Bardhë e Barak Obama-s e rrëzoi perspektivën.

Luna nuk ishte në gjendje të mobilizonte interesat politike, të gjente një motiv që justifikonte strategjinë dhe financimin masiv të kërkuar.

Kështu, hyri në skenë Kina.

Duke manifestuar objektivin për të fluturuar në Hënë, duke demonstruar aftësi të mëdha dhe duke siguruar fonde të mëdha, do t’i ndryshonte qëndrimet amerikane.

Politika e Washington-it gjeti motivimin e shumëkërkuar dhe Presidentin Donald Trump në vitin 2017, i cili miratoi një ligj që i siguroi NASA-s nisjen e programit Artemis me të cilin do të kthente astronautët në Hënë.

Por këtë herë për të qëndruar atje duke filluar ndërtimin e një kolonie siç kishte sugjeruar Wernher von Braun në vitin 1969.

Kishte edhe një arsye tjetër që justifikonte kthimin në Hënë.

Në dekadën e parë të mijëvjeçarit të tretë, hapësira u bë një ekonomi e re me personazhe si Elon Musk, të cilët e panë biznesin hapësinor si një zonë fitimprurëse për të zgjeruar biznesin e tyre.

Ndaj dhe kthimi në Hënë u bë një element themelor mbi të cilin mund të ndërtohet e ardhmja.

Burimet e nevojshme për vazhdimin e eksplorimit të hapësirës mund të vijnë edhe nga ekonomia, të cilën buxhetet e kombeve nuk mund ta mbështesin më ekskluzivisht siç ka ndodhur në të kaluarën.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

NASA lëshon Artemis I drejt Hënës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore