Lajme

Nisin bisedimet mes Ukrainës dhe Rusisë


Bisedimet midis Ukrainës dhe Rusisë kanë nisur në kufirin me Bjellorusinë, ka thënë për agjencinë e lajmeve Reuters, këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak.

Më herët zyra e presidentit ukrainas tha se qëllimi i Kievit për diskutimet ishte një armëpushim i menjëhershëm dhe tërheqja e të gjitha forcave ruse nga Ukraina.

I pari ishte delegacioni ukrainas, i cili ka mbërritur në vendin e takimit, për të marrë pjesë në bisedimet me përfaqësuesit e Federatës Ruse.

Sipas një deklarate, delegacioni përfshin, ndër të tjerë, ministrin e Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, këshilltarin e shefit të zyrës së Presidentit të Ukrainës, Mykhailo Podoliak, dhe zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Mykola Tochytskyi.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nuk është pjesë e delegacionit.

“Nuk besoj te rezultati i negociatave”

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se nuk i beson rezultatit të negociatave me palën ruse.

Por kjo për të nuk do të thotë se do të ndalet përpjekja për ta zgjidhur këtë konflikt.

Ai është shprehur se do të përdorë çdo mundësi për të siguruar paqen, përpara bisedimeve të planifikuara midis përfaqësuesve rusë dhe ukrainas afër kufirit me Bjellorusinë.

“Unë nuk besoj vërtet në rezultatin e këtij takimi, por le të përpiqen që, më vonë, asnjë qytetar i Ukrainës të mos ketë dyshime se unë, si President, u përpoqa ta ndaloja luftën, kur kishte edhe një mundësi të vogël, por ende një shans”, tha Zelensky.

Bisedimet me Rusinë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ra dakord të dielën që zyrtarët ukrainas të marrin pjesë në bisedimet me Rusinë “pa parakushte”, edhe pse presidenti Vladimir Putin përshkallëzoi më tej tensionet duke i vënë në gatishmëri forcat e tij bërthamore.

“Ne ramë dakord që delegacioni ukrainas do të takohej me delegacionin rus pa parakushte në kufirin ukrainas-bjellorus, pranë lumit Pripyat”, njoftoi Zelensky në kanalin e tij zyrtar Telegram.

Nga ana tjetër, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë të hënën një sesion të rrallë të posaçëm urgjent të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së mbi krizën në vazhdim dhe më pas të votojë një rezolutë për të “bërë Rusinë përgjegjëse” për shkeljen e kartës së OKB-së.

Lexo zhvillimet e plota të ditës së pestë KËTU

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore