Shqipëria

Nishani, pas përjashtimit të Berishës: Basha, ‘peng dhe argat’ i Ramës


Ish-presidenti i Shqipërisë dhe ish-kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Bujar Nishani, ka reaguar lidhur me vendimin e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, për përjashtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga grupi parlamentar i PD-së.

“Lulzim Basha ka vepruar si një skuth! Një njeri i katapultuar në krye të Partisë Demokratike, pa asnjë kontribut politik e partiak, pa asnjë sakrificë dhe eksperiencë në beteja politike, një përfitues i përhershëm pa kurrfarë meritash, vendos ta përçajë në mënyrë fatale atë parti”.

Kështu e ka nisur fjalën e tij Nishani, përmes një postimi në median sociale Facebook.

Për të, Basha fyen, përçmon e injoron çdo institucion e rregull minimal në Partinë Demokratike, duke marrë një vendim ekstrem, të përjashtimit nga partia të themeluesit të saj pa asnjë diskutim në forumet e partisë.

“Vendimet personale, në fshehtësi, në mungesë të diskutimit midis të zgjedhurve legjitim të demokratëve, jashtë forumeve të partisë, janë karakteristika të një skuthi politik”, shkruan ai.

Ish-presidenti thekson se Basha është “peng dhe argat” i Edi Ramës.

“Demokratët, shqiptarët e ndershëm, njerëzit e lirë dhe patriotë duhet të mos dorëzohen përballë këtij provokimi të rëndë për asgjësimin e fondamenteve me bazike të demokracisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore