Shqipëria

Nis zyrtarisht punën Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore


Të premten e 17 qershorit është mbledhur Komisioni parlamentar për Reformën Zgjedhore.

Mbledhja e parë sjellë konstituimin e këtij Komisioni, teksa janë 18 deputetë që do të jenë anëtarë të tij.

Mazhoranca socialiste ka 9 anëtarë, PD-ja 6 anëtarë dhe anëtarët e tjerë janë Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi dhe Petrit Vasili.

PS ka caktuar si bashkëkryetar Sekretarin e Përgjithshëm, Damian Gjiknuri, ndërsa opozita i është përgjigjur në këtë pozicion me kreun e Grupit Parlamentar, Enkelejd Alibeaj.

Afati 3 mujor, duhet kompromis

Bashkëanëtari i komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri propozoi si sekretar të mazhorancës Klevis Xhoxhin ndërsa ka thënë që numri i ekspertëve do të shkojë në tetë nga katër që kishin qenë.

“Unë jam dakord që secili grup përfaqësues të kenë mundësi të kenë ekspertët e tyre. Pra të shkojë në 8. Dy do të jenë teknikë të tjerët të jenë politikë”.

Gjiknuri theksoi gjithashtu se duhen gjetur pikat e përbashkëta të kompromisit për rekomandimet e ODIHR, teksa njoftoi se afati i komisionit do të jetë 3 muaj, por “edhe mund ta shtyjmë”.

“Kemi disa rekomandime të reja që vijnë nga zgjedhjet e 2021. Palët mund të diskutojnë dhe për çështje të tjera që mund të dalin. Do bëjmë maksimumin për të gjetur konsensusin. Janë disa vendime për të marrë sot që unë i propozoj. Do kërkojmë ekspertizën e OSBE/ODIHR”.

6 ekspertë, jo 4

Bashkëanëtari i komisionit Enkelejd Alibeaj ka propozuar si sekretar nga ana e opozitës, Dashnor Sulën.

Nga ana tjetër, Alibeaj theksoi se procesi duhet të jetë transparent.

Ai shtoi se organizmat ndërkombëtare do të jenë të ftuara të marrin pjesë me ekspertizën e tyre në ndryshimet e Kodit Zgjedhor.

“Kam kërkuar që përveçse dërgimit të një kërkese zyrtare OSBE-së, do tia dërgojmë të njëjtën kërkesë edhe Këshillit të Europës, Komisionit të Venecias, përfaqëues të BE-së dhe SHBA-së që kanë të drejtën të sjellin përfaqëuesit e tyre dhe të marrin pjesë me ekspertizë”.

Përfaqësuesi demokrat, kërkoi që ekspertët që do të ndihmojnë Komisionin duhet të jenë gjashtë nga katër që ishin më parë.

“Sa i takon përcaktimit të numrit të ekspertëve, tradita ka qenë me katër ekspertë, dy nga njëra anë, dy nga ana tjetër. Unë kërkoj të bëhen gjashtë ekspertë për të akomoduar edhe nevojat e ekspertizës teknike të përfaqësuesve të pjesës sonë, por edhe në funksion të një analize teknike të të gjitha nevojave që ky komision do të duhet të trajtojë”.

Sistem propocional kombëtar me lista të hapura

Nga ana tjetër, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, anëtar i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore propozoi sistemin proporcional kombëtar me lista të hapura.

“Sistemi proporcional kombëtar me lista të hapura i jep mundësinë çdo subjekti të konkurrojë bazuar në atë që ka dhe as në marrëveshje dhe asnjë shpërfillje të interesave politike të grupeve të caktuara. Pikë tjetër, është serioziteti që duhet të marrim për të mbështetur KQZ-në për votimin e diasporës, mundësinë e përfaqësimit të diasporës”.

Gjithashtu sipas tij, garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nuk është thjesht një çështje e shkrimit të procedurave apo kërkesave që kërkon OSBE/ODIHR, por është respektimi i tyre.

Ai tha më tej se është e domosdoshme për të pasur mundësi “të sjellim mendimin teknik dhe më pas të marrim vendimin politik”.

Komisioni shumë i madh, mos bëni pazare

Ndërsa, deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi tha se përbërja e tij është shumë e madhe dhe mund të mos jetë efikas.

“Ky është nga komisionet e rrallë kaq i madh. Ky komision ka nevojë të jetë efikas. Rënia dakord që këtu të jenë përfaqësues grupesh parlamentare është i gabuar, duhet të ishin të gjitha partitë politike, të mëdha dhe të vogla. Për fat të keq në gjykimin tim, unë e shoh këtë komision si fotokopje, pa marrë parasysh realitetin”.

Sipas tij, ndryshimet e 5 tetorit u miratuan në mënyrë njëanshme.

“Kjo reformë zgjedhore nuk mund të jetë pazar. Nuk mund të jetë si fundi i 2020, ku një pazar jo thjesht ndryshoi kodin zgjedhor, por shkatërroi një sistem zgjedhor. Rregullat e lojës në parim nuk ndërrohen në mënyrë të njëanshme”.

Anëtarja demokrate e Komisionit të Reformës Zgjedhore, Grida Duma, u shpreh se problemi në sistemin zgjedhor nuk lidhet vetëm me kodin, por sipas saj problem i rëndësishëm është shfrytëzimi i pushtetit dhe përdorimi i elementeve për të ndërhyrë në proces.

Më 8 nëntor, Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi diskutimet e radhës mbi disa çështje, ku ndër to, më e rëndësishmja, ishtë ajo e projektvendimit për ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për realizimin e reformës zgjedhore.

Reforma zgjedhore ka qenë propozim nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, për ndryshime në Kushtetutë.

Nisur nga akuzat e tyre në zgjedhjet e 25 prillit, për mungesën e koalicioneve zgjedhore, PD propozoi rikthimin e tyre në Kushtetutë.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore