Nis zbatimi i marrëveshjes për riatdhesimin e të burgosurve nga Britania e Madhe

Brixhilda Xhuraj
18.10.2023 18:24
Loading Icons...

Ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Ulsi Manja, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Londër është takuar me Sekretarin e Shtetit për Drejtësinë, Alex Chalk me të cilin ka ka zyrtarizuar, fillimin e implementimit të marrëveshjes për transferimin e shtetasve shqiptarë të dënuar nga Britania e Madhe për në Shqipëri.

Zyra e shtypit e Ministrisë së Drejtësisë në një komunikatë të shpërndarë për mediat bën me dije se “marrëveshja do të jetë me 0 kosto financiare për shtetin shqiptar”.

Kjo, pasi pala britanike mbulon shpenzimet për çdo ditë që të dënuarit do të vuajnë në burgjet shqiptare.

Qëllimi kryesor i marrëveshjes është rehabilitimi social i të dënuarve shqiptarë në Britani, duke i krijuar mundësinë e vuajtjes së pjesës së mbetur të dënimit në atdhe, pranë nënave, fëmijëve, bashkëshorteve dhe familjeve të tyre.

Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve do të përfitojnë mbështetje logjistike dhe grante, që do të investohen për fuqizimin e kapaciteteve në sistemin tonë penitenciar.

“Në procesin e transferimit do të kenë prioritet ata që japin pëlqimin e tyre për t’u kthyer, me përjashtim të rasteve kur në vendimet e gjykatës britanike parashikohet deportimi i tyre nga Mbretëria e Bashkuar”.

Pikënisja

Një komunikatë e përbashkët është nënshkruar në dhjetor 2022 nga kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij britanik, Rishi Sunak. Po ashtu, të dy liderët zhvilluan diskutime në Londër në mars 2023, për të garantuar nisjen e implementimit të transferimit të të burgosurve.

Kështu, 200 të burgosur shqiptarë në burgjet e Anglisë dhe Uells që vuajnë dënime prej katër vjetësh ose më shumë do të kthehen në dy vitet e ardhshme për të kryer pjesën e mbetur të dënimit në burgjet shqiptare.

Falë marrëveshjes, pala britanike do të paguajë kostot e strehimit të të burgosurve për gjatë gjithë kohëzgjatjes së dënimit të tyre në vendin tonë dhe Shqipëria do të mund të rrisë investimet për përmirësimin e mëtejshëm të kushteve në sistemin e burgjeve.

Ndërkohë që u jepet mundësia të dënuarve shqiptarë në Britaninë e Madhe, të shlyejnë pjesën e mbetur të dënimit pranë familjeve të tyre, Shqipëria do të mund të fuqizojë edhe më tej kapacitetet e sistemit penitenciar.

Të fundit

Aktuale