Kosova

Nis takimi i Lajçak-ut me delegacionin serb në Bruksel


Miroslav Lajçak dhe Petar Petkoviç

Në Bruksel ka filluar takimi në mes të Emisarit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe delegacionit serb, i cili kryesohet nga drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ku do të diskutohet në lidhje me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për ndalimin e dinarit serb për pagesa në territorin e Kosovës.

Pas takimit me palën serbe, diplomati sllovak do të takohet me delegacionin e Kosovës. Nga pala shqiptare e Kosovës kanë refuzuar që përfaqësimi në këtë takim të jetë në nivel politik, duke dërguar kështu në kryeqendrën evropiane përfaqësues të BQK-së.

Nuk dihet nëse të martën në Bruksel, me ndërmjetësimin e Lajçak-ut, do të ketë edhe një takim trepalësh.

Ftesa për të shkuar në Bruksel për Kosovën dhe Serbinë ka ardhur nga BE-ja, pas vendimit të BQK-së për dinarin, në përpjekje e sipër për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje në mes të dy vendeve respektive.

Ky vendim i BQK-së ka shkaktuar edhe fërkimin e radhës në mes të ekzekutivit të drejtuar nga Albin Kurti dhe bashkësisë ndërkombëtare, posaçërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak se të njëjtët kanë thënë se vendimi në fjalë është marrë pa koordinim me ta.

Qeveria e Kosovës në emër të ligjit po tenton ta shtrijë sovranitetin në Veri të Kosovës, ndërsa komunitetit ndërkombëtar s’po do “surpriza” në terren, por zbatim të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut me Serbinë, posaçërisht asaj për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore