Shqipëria

Nis Samiti i radhës për nismën Open Balkan


Ka nisur zyrtarisht samiti i radhës i nismës rajonale Open Balkan, në Beograd të Serbisë, ku të ftuar këtë herë, janë edhe shtetarë të lartë përtej rajonit.

Në fjalën e tij hapëse, si mikpritës i ngjarjes, Presidenti i Serbisë, Alexander Vuçiç, deklaroi se nuk ka pasur ndonjëherë kaq shumë zhurmë (pozitive) për nisma ballkanike, duke ravijëzuar faktin se tashmë edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë hapur zyrtarisht negociatat.

“Shpresoj që kjo arritje të na mundësojë të flasim me një zë të vetëm për rajonin tonë”, nënvizoi Vuçiç, duke shtuar se vëllazëria e krijuar nëpërmjet Open Balkan, është e admirueshme.

Aspekti më kryesor sipas kreut të shtetit serb, është pikërisht ai i lehtësimit të lëvizjes së mallrave dhe njerëzve, me korsitë e gjelbra në pikat e caktuara kufitare.

Për Vuçiç, kjo nismë është shpalosur tepër efektive dhe ka dhënë rezultate të shkëlqyera për të tre vendet. Ndaj, ai shpreson se duke i parë ato, edhe vendet e tjera mund të kuptojnë se bashkimi në këtë tagër mund të kthehet në shumë përfitues.

Vend të veçantë, do të zërë edhe bashkëpunimi për çështjet e energjetikës, duke parë se një dimër i vështirë e pret rajonin dhe gjithë Evropën.

Interesi i BE-së

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë samitit të nismës rajonale Open Balkan, i cili po zhvillohet në Beograd të Serbisë, ka bërë me dije se jo vetëm rajoni duhet t’i bashkohet asaj, por edhe vende të tjera përtej, ku nuk ka fshehur se dëshira për afrim me iniciativën ka pasur edhe nga vende që i përkasin Bashkimit Evropian.

“Është shumë e rëndësishme për ne, që edhe vende të tjera t’i bashkëngjiteshin kësaj nisme”, theksoi kryeministri. “Këtu përfshihen edhe të BE-së, të cilat i përkasin hapësirave ku ne për shumë vite, duam të ftohemi”.

Më tej, kryeministri ka nënvizuar faktin se Ballkani për Evropën është po aq i rëndësishëm sa Evropa për Ballkanin, ku në vëmendje ka sjellë rastin e marrëveshjes për kalimin me karta identiteti mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Ramës, kjo zgjidhje, është një model i bazuar tërësisht nga nisma Open Balkan, e cila lëvizjen me karta identiteti në kufi, e ka në themel të sajin.

Duke parashtruar këtë premisë, ai ka falënderuar edhe presidentin serb, Alexander Vuçiç, për arritjen e marrëveshjes.

Furnizimi me energji elektrike ka qenë në thelb të fjalës hapëse të kreut të Qeverisë po ashtu, i cili theksoi se të gjitha vendet e rajonit, duhet të mbështesin njëra-tjetrën në këtë aspekt, parë edhe krizën e madhen në Evropë.

Por, me nismën Open Balkan, kjo krizë mund të zgjidhet lehtë, nëpërmjet marrëveshjeve të ndryshme, të cilat lejojnë shfrytëzimin e potencialeve të vendeve fqinje.

Kapacitetet e përballimit të emergjencave janë po ashtu aspekt me rëndësi të veçantë në nismën Open Balkan, me ndryshimet klimatike që kanë ndodhur vitet e fundit.

Teksa, sa i përket arritjeve të deritanishme, sipas kreut të Qeverisë, nuk ka shumë vend për polemika, pasi rezultatet tregojnë rritjen e madhe në shumë sektorë të tregtisë, teksa me atë çfarë duhet të jenë nivelet e shifrave, ai shtoi se do të jenë shumëfish më të larta.

Në përmbyllje, Rama e cilësoi të panevojshëm , përshkrimin e mëtejshëm të një nisme si Open Balkan, e cila duket qartësisht se çfarë qëllimesh ka.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore