Shqipëria

Nis peticioni kundër ambasadores Kim për “ndërhyrje në politikën e brendshme shqiptare”


Një peticion online, me titullin “Enough is Enough” (Mjaft është Mjaft), ka marrë jetë të hënën e 25 prillit kundër ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Tiranë, Yuri Kim.

Deri në pasditen e po së njëjtës ditë, peticionin e kanë nënshkruar më shumë se 2 mijë persona, sipas të cilëve ambasadorja Kim duhet t’u japë fund ndërhyrjeve “brutale në politikën e brendshme dhe institucionet shqiptare” dhe “t’i përmbahet statusit diplomatik”.

Kjo sepse, sipas krijuesit të peticionit dhe mbështetësve të tij, kryediplomatja amerikane ka patur ndikim negativ në qeverisjen e Shqipërisë.

“Qëndrimet e Znj. Yuri Kim bien ndesh jo vetëm me statusin e saj diplomatik dhe nenin 41 të Konventës së Vjenës, por kanë cenuar fort aftësinë e vendit për të pasur një opozitë serioze ndaj një qeverie që vetë Departamenti Amerikan i Shtetit në raportet e veta, e klasifikon thellësisht të korruptuar”, shkruhet në peticion.

Sipas firmëtarëve, Kim ka intimiduar forcat opozitare, ka ndërhyrë në zgjedhjet e tyre të brendshme dhe ka ushtruar trysni në procesin e drejtësisë.

“Intimidimi i vazhdueshëm ndaj forcave opozitare, ndërhyrja në procesin e tyre të votimeve të brendshme apo trysnia që i bëhet drejtësisë nga Znj. Kim janë shumë shqetësuese, pasi minojnë demokracinë dhe rrezikojnë stabilitetin e vendit”.

“Enough is Enough” thekson se SHBA-të dhe demokracia atje “vazhdon të mbetet ëndrra e modeli i shumicës dërrmuese të shqiptarëve”, prandaj “asnjë qytetar me dinjitet nuk duhet ta pranojë këtë lloj trajtimi dhe “diplomacie”.

“Nëse inkurajimi i gjyqtarëve është ndërhyrje, SHBA-të do vazhdojnë ta bëjnë”

Ambasadorja Kim është akuzuar edhe nga ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, për ndërhyrjet e saj në Gjyqësor, por kjo e fundit ka reaguar duke thënë se “nëse inkurajimi i gjyqtarëve është ndërhyrje, SHBA-të do vazhdojnë ta bëjnë”.

Përmes një postimi në Twitter, Kim thekson se, nëse “ndërhyrja në procesin gjyqësor” do të thotë inkurajimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve që të bëjnë punën e tyre, pavarësisht kërcënimeve apo nxitjeve, SHBA-të do të vazhdojnë të mbështesin zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri.

“Askush nuk është mbi ligjin dhe duke kërkuar që të gjithë ne duhet të bëjmë pjesën tonë për të luftuar kundër korrupsionit dhe mosndëshkimit, atëherë PO, SHBA e ka bërë dhe do të vazhdojë ta bëjë pikërisht këtë, sepse lufta kundër korrupsionit dhe përpjekjet për të minuar demokracinë përbëjnë një interes thelbësor të sigurisë kombëtare të SHBA-ve”, ravijëzoi Kim.

“Guvernatorja”, referuar ambasadores amerikane, theksoi Berisha, bën takime për procesin gjyqësor duke mos pasur asnjë bazë ligjore.

“Shpreh keqardhjen, por edhe denoncimin tim për ndërhyrjet e saj direkte në procesin gjyqësor”.

Madje, ish-lideri i PD-së i bëri thirrje qeverisë amerikane “që të ndalojë ndërhyrjet e përfaqësueses së saj në proceset gjyqësore”.

Berisha garantoi sakaq se askush nuk mund t’i diktojë opozitës “akuzat që duhet të bëjë dhe s’duhet të bëjë”.

Reagimi i DASH-it

Reagime për akuzat ndaj ambasadores Kim kanë ardhur edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit, sipas të cilit sjellja dhe retorika e Berishës janë cilësuar si “jo përfaqësuese e popullit shqiptar”.

“Sulmet e pajustifikuara ndaj Ambasadores së SHBA-ve në Tiranë, përfaqësueses personale të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, nuk përfaqësojnë popullin shqiptar. Ata që përfshihen në korrupsion ose minojnë demokracinë duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi”.

Është kjo përgjigjja që DASH ka për Berishën, pas akuzave të këtij të fundit, i cili e ka emërtuar atë si “guvernatore” dhe ka deklaruar se “nuk mund të bëhet palë”.

Vetë diplomatja pati komentuar, nëpërmjet medias sociale Twitter, incidentin e ndodhur mes Berishës dhe kryetarit të mandatuar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, në foltoren e Parlamentit të enjten e 21 prillit.

Në këtë episod, Berisha e shtyu Alibeajn nga foltorja për ta marrë fjalën vetë.

“Ditët e sulmit ndaj ndërtesave, rrahjes ose largimit të të tjerëve nga podiumet, kërcënimit të atyre që thonë me të drejtë ‘jo!’, akuzimit të të tjerëve për veprat e këqija që ka bërë, shtrembërimit të shtetit të së drejtës, llogaritjes së mosndëshkimit – ato ditë i përkasin një të shkuare që duhet të mos përsëritet”, shkruante Kim.

Mirëpo, sipas Berishës, kjo ishte një ndërhyrje direkte e saj në procese gjyqësore.

Teksa, në një replikë në mediat sociale, ambasadorja Kim do të theksonte se “nëse inkurajimi i gjykatësve për të zbardhur të vërtetat është interferim, atëherë SHBA-të do të vijojnë ta bëjnë këtë gjë”.

Prej shpalljes të Berishës si persona non grata nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, lufta mes ish-kreut të demokratëve dhe diplomacisë amerikane ka ruajtur një retorikë të ashpër dhe të pandërprerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore