Shqipëria

Nuk mund të konsiderohet palë ajo që nuk është palë, thotë Berisha për Kim-in


Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i është kundërpërgjigjur deklaratës së ambasadores amerikane Yuri Kim, duke theksuar se “nuk mund të bëhet palë ajo që nuk është palë”.

Kjo, sipas përcaktimit të procedurave të Kodit Civil.

Berisha ka denoncuar sërish para mediave përfshirjen, sipas tij, të diplomates për ndërhyrje në gjyqësor.

“Shpreh keqardhjen, por edhe denoncimin tim për ndërhyrjet e saj direkte në procesin gjyqësor”, u shpreh ish-kryeministri.

“Guvernatorja” referuar ambasadores amerikane, shtoi Berisha, bën takime për procesin gjyqësor duke mos pasur asnjë bazë ligjore.

Madje, ish-lideri i PD-së i bëri thirrje qeverisë amerikane “që të ndalojë ndërhyrjet e përfaqësueses së saj në proceset gjyqësore”.

Berisha garantoi sakaq se askush nuk mund ti diktojë opozitës “akuzat që duhet të bëjë dhe s’duhet të bëjë”.

Më herët, ambasadorja Kim, do dënonte “gjestin” e ish-kryeministrit Sali Berisha ndaj kryetarit të mandatuar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.

“Ditët e sulmit ndaj ndërtesave, rrahjes ose largimit të të tjerëve nga podiumet, kërcënimit të atyre që thonë me të drejtë ‘jo!’, akuzimit të të tjerëve për veprat e këqija që ka bërë, shtrembërimit të shtetit të së drejtës, llogaritjes së mosndëshkimit – ato ditë i përkasin një të shkuare që duhet të mos përsëritet”, shkruante Kim në median sociale Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore