Muzikë

Nis festivali “Sunny Hill”


Të enjten e 4 gushtit, nis festivali “Sunny Hill”, i cili do të mbahet në Parkun e Gërmisë, në Prishtinë.

Në festivalin, që do të zgjasë katër ditë, të ftuar të performojnë janë artistë të ndryshëm vendor e ndërkombëtarë.

Këtë vit, Dua Lipa do të jetë vetë ajo që do të performojë natën e hapjes.

Krijuesja e hitit “Levitating”, gjatë një konference për shtyp, të enjten, bëri të ditur se për rikthimin e saj, ka përgatitur një performancë mjaft të veçantë.

“Do të jetë befasi, është diçka shumë special që është krijuar vetëm për këtë performancë, është një ndjesi shumë e mirë që të performoj në Prishtinë, nuk ka ndjenjë më të mirë, energjinë që ma jep, mezi pres me i ndje ato emocione para se të dalë në skenë”, është shprehur ajo.

Dua Lipa

Pos tjerash, Lipa, foli edhe për liberalizimin e vizave, që këtë vitë është motoja e festivalit – #SETMEFREE, për një #Kosovë Pa Viza.

“Mendoj që kemi shumë mundësi që mund të zgjerohemi në botë, shpresoj që të kemi liberalizimi të vizave dhe të depërtojmë në Evropë dhe me promovimin e festivalit të sjellim këtë energji pozitive dhe historinë e bukur të vendit tonë dhe të kemi mundësinë ta bëjmë këtë sa më shpejt”, ka thënë ajo.

“Njëmbëdhjetë vjet në një proces të bllokuar integrimi, ne jemi të vetmit që nuk mund të kalojmë kufijtë pa vizë. Por ndërsa BE-ja vendos kufijtë rreth lirisë sonë, ne do të mbajmë imagjinatën tonë gjallë për t’u çliruar”, janë disa nga posterat e festivalit.

J Balvin, Skepto e Diplo, Dj Regard janë yjet që do të performojnë përgjatë netëve në vijim.

Ndërkaq, Lyrical Son, Dhurata Dora, Lumi B, Mc Kresha, Azet dhe Zuna janë vetëm disa nga artistët shqiptarë që do të performojnë këtë vit.

Pothuajse të gjitha mbrëmjet rezervojnë surpriza, dhe bazuar në biletat e shitura, pritet që rreth 20 mijë vetë të jenë të pranishëm në këtë festival, që për katër ditë i bie të jetë 80 mijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore