Shqipëria

Nikolla rikonfirmon angazhimin e Shqipërisë në PABSEC: Kontributore e paqes


Ka nisur këtë të martë punimet seanca e 63-të plenare e Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, e cila zhvillohet në përfundim të Presidencës së Kuvendit të Shqipërisë në këtë organizatë.

Nikolla Seanca drejtohet nga Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e cila ka rikonfirmuar angazhimin e Shqipërisë në PABSEC.

Nikolla falënderoi Sekretariatin e PABSEC dhe personalisht Sekretarin e Përgjithshëm, Asaf Haxhijev, për mbështetjen e madhe për kurorëzimin me sukses të Presidencës shqiptare.

“PABSEC, ashtu si gjithë rajoni i Detit të Zi, Evropa Jug-Lindore, Lindja e Mesme, Mesdheu, Evropa vetë, madje gjithë bota e sotme, po jetojnë ditë jo të mira. Vështirësive të zakonshme u janë shtuar dy luftërat që zhvillohen njëra brenda rajonit tonë dhe tjetra në periferi të tij. Këto situata vështirësuan, por nuk penguan dhe nuk do të mund të pengojnë as në të ardhmen bashkëpunimin mes vendeve tona, mes popujve e njerëzve tanë, me kultura, besime, histori dhe tradita të ndryshme zhvillimi. Pavarësisht këtyre implikimeve, organizata jonë ka qenë dhe do të vijojë të mbetet e hapur për bashkëpunime më të gjera, në rajon dhe përtej rajonit, duke qenë, si deri tani një kontributore dhe nxitëse e paqes, kundër dhunës, konflikteve dhe agresioneve”, ka thënë ajo.

Sipas Nikollës, miqësia, mirëkuptimi, respekti reciprok dhe mosndërhyrja në punët e brendshme si vizioni dhe thelbi i bashkëpunimit midis vendeve, do të vijojnë të jenë udhëharta e Organizatës.

“Në këtë mënyrë ne u përgjigjemi aspiratave të kombeve tona, të popujve dhe të qytetarëve tanë, të cilët shumëfishojnë vlerat e Organizatës dhe frymëzojnë bashkëpunimin tonë. Vështirësitë që po përjetojmë nuk kanë munduar dhe nuk do të mundin të na errësojnë logjikën e vetëdijen dhe as të na devijojnë nga rruga e miqësisë dhe e mirëkuptimit. Mozaiku i kulturave dhe vlerave tona, të përbashkëta dhe të veçanta, do të mbijetojë dhe do të avancojë”, ka vijuar ajo.

Nikolla ka shtuar po ashtu se në emër të Kuvendit të Shqipërisë si edhe të popullit shqiptar, rikonfirmon vendosmërinë dhe angazhimin e Shqipërisë si një anëtare themeluese e PABSEC.

“Për të kontribuar që dialogu, jo konfliktet të jenë rruga jonë e bashkëpunimit. Që toleranca dhe paqja të na udhëheqin në bashkëpunimin tonë me rajonet e tjera, Mesdheun, Evropën e më gjerë. Që të ekzistojmë si një organizatë rajonale me përgjegjësi globale. Që si një organizatë e bashkëpunimit parlamentar, të nxisim bashkëpunimin e qeverive, institucioneve dhe njerëzve të vendeve tona”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore