Shqipëria

Ngritja e Komisioneve për Reformën Zgjedhore dhe Territoriale, Balla tregon përbërjen


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste (PS), Taulant Balla, paraditen e 14 shkurtit ka deklaruar se Komisionet për Reformën Zgjedhore dhe Territoriale do të përbëhen nga tetë anëtarë të PS-së.

Sipas tij, në atë për Reformën Zgjedhore, bashkëkryetar do të jetë deputeti, njëkohësisht dhe sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri.

Ndërsa për atë Territoriale nuk është vendosur ende emri se kush do të jetë nga radhët e socialistëve bashkëkryetar.

Më tej, ai ka theksuar se mandati i gjithsecilit në Komision Hetimor do të jetë gjashtë muaj dhe të enjten pritet të votohet në Parlament ngritja dhe përbërja e tyre.

Balla, për sa i takon Komisionet për Reformën Zgjedhore, tha se ndryshimet në ligjin për partitë politike duhet të jenë më të forta.

Kjo, pasi, sa u përket financimeve të partive politike, ka pasur një rast të dyshimtë që ende nuk është sqaruar sa i takon Bashës dhe Partisë Demokratike.

Sa i përket kësaj të fundit, ai theksoi se duhet bllokuar çdo financim i dyshimtë.

“Të gjitha propozimet që palët kanë duhet të drejtohen në komision. Ky komision ka marrë detyrën nga Kuvendi për të bërë një plan pune”, tha ndër të tjera ai.

Gjithashtu Balla shtoi se ngritja e tij duhet të jetë në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR-it.

Në përfundim ai u ndal edhe suksesi që arritën së bashku me opozitën për votimin pro të ndryshimeve Kushtetuese për zgjatjen e afatit të organeve të vetting-ut, në vijim të procesit të Reformës në Drejtësi.

“Fitoi Shqipëria, rruga evropiane e Shqipërisë”, e përmbylli Balla.

Kuvendi i Shqipërisë të enjten e 10 shkurtit miratoi me 118 vota pro, asnjë kundër dhe katër abstenim ndryshimet Kushtetuese për zgjatjen e mandatit të organeve të vetting-ut.

Kujtojmë që ndërkombëtarët kanë qenë një zë i fortë lobues përgjatë këtyre muajve për votimin pro të ndryshimeve Kushtetuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore