Kosova

Ngriti flamurin kombëtar në ambientet e KKSH-së, Gjykata e Vranjës thërret për të pestën herë Ragmi Mustafin


Ragmi Mustafi duke ngritur flamurin kombetar shqiptar ne ambientet e Keshillit Kombetar Shqiptar ne Lugine te Presheves

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi, ka njoftuar se është ftuar për herë të pestë me radhë nga Gjykata e Vranjës për shkak se kishte ngritur flamurin kombëtar shqiptar në ambientet e institucionit që ai e ka udhëhequr.

Lajmi u bë i ditur nga vetë Mustafi përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Ai tha se kjo është bërë përkundër që tanimë nuk është në krye të KKSH-së, madje as zyrtar i thjesht.

Por, për veprimin të cilin gjykata serbe po e ndjekë penalisht nuk pendohet fare, madje pohon se do ta kishte bërë përsëri.

“Edhe një mijë herë po të isha në të njëjtën situatë do ta kisha për nderë të bëja të njëjtën me vetëdije të plotë pavarësisht konsekuencave. Nuk do të veproja me truke juridike për të i ikur përgjegjësisë, siç bëjnë (Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim, dhe ai i Bujanocit, Nagip) Arifët në komunën e Preshevës e Bujanocit”, thekson ai.

Sepse, potencon Mustafi, “flamuri kombëtar është vetë identiteti jonë, është vetë historia jonë, është vetë liria jonë në Luginë”.

“Sigurisht kjo është padi për përndjekje politike në emër të shtetit ligjor. Për të frikësuar, censuruar të gjithë ata që shprehin e manifestojnë hapur identitetin kombëtar apo edhe identitet tjera”.

Përvec këtyre, ish-kryetari i KKSH-së potencon se “është presion ndaj të ndryshmes, diversitetit”, duke shtuar se “është intolerancë ndaj tjetrit e qasje diskriminuese e inkriminim i shqiptarëve të Luginës”.

Tutje, ai bënë me dije se thirrja e pestë për të nga Gjykata për Kundërvajtje në Vranjë, kësaj radhe është nënshkruar nga një gjykatës tjetër, i quajtur Nebojsha Spasiç, pasi që për katër herët tjera kishte qenë gjykatësja Lubinka Dojçinoviç ajo që e kishte thirrur.

“Kërkesa për fillimin e procedurës për kundërvajtje kundër Këshillit Kombëtar Shqiptar si person juridik dhe mua si person fizik të nënshkruar nga Shefi i Policisë së Bujanocit, Nënkolonel i Policisë – Goran Saviç për pesë herë radhazi sipas të njëjtit ligj, njëjtit nen, njëjtit paragraf dhe njëjtës pikë”, shpjegon Mustafi.

Kësaj radhe, thekson ai, dëshmitar do të jetë zyrtari policor serb Miroslav Gjorgjeviç.

Edhe kategorizimi i veprës penale është i njëjti me ato parapraket, që kishin ndodhur më 28 nëntor – që shënon ditën e pavarësisë së Shqipërisë, më 1912 – të viteve 2018, 2019, 2020, 2021 dhe së fundmi më 2022: “Kryerja e veprës kundërvajtje ngritja e flamurit kombëtar në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar”.

Ndryshe, shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës vazhdimisht diskriminohen nga shteti i Serbisë.

Institucionet serbe i mohojnë atyre të drejtat elementare. Madje, shqiptarëve atje, veçanërisht në Medvegjë, po i pasivizohen adresat, çështje kjo që së fundmi u ngrit edhe në Senatin amerikan.

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Luginë të Preshevës vazhdimisht kanë kërkuar që të drejtat e tyre të jenë reciproke me ato të serbëve që jetojnë në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore